Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, për protestën e thirrur ditën e sotme nga ish-kryeministri, Sali Berisha, para ambienteve të Parlamentit.
Burime për mediat bëjnë me dije se rreth 800 efektivë nga Policia e Tiranës dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (FNSH) janë angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në koordinim me DVP Tiranë. Edhe Rena është vendosur në gatishmëri në rast se do të ketë incidente.
Gjithashtu bëhet me dije se përgjatë gjithë segmentit të sigurisë aty ku dhe do të mbahet protesta janë instaluar kamera me rezolucion të lartë. Po ashtu edhe autobotët me ujë ndodhen në pjesën e pasme të Parlamentit që nëse do të ketë një përshkallëzim të protestës atëhere do të duhet që të ndërhyjnë.
Kjo protestë do të mbahet në të njëjtën ditë kur dhe Kuvendi do i hapë rrugën SPAK-ut për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv gjatë kohës kur ishte në krye të qeverisë shqiptare.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo