Lajme

“Bllok” në Sllatinë, kolona të gjata në rrugën Pejë – Prishtinë

Kolona të gjata automjetesh janë krijuar sot në rrugën Pejë–Prishtinë, duke shkaktuar ngarkesë të madhe në qarkullim dhe vonesa për drejtuesit e mjeteve. Sipas ekipit të KosovaPress, fluksi i automjeteve është rritur dukshëm në segmentin nga Parku i Biznesit deri në Sllatinë, ku vërehet ngadalësim i theksuar i lëvizjes.

Ngarkesa më e madhe raportohet në afërsi të kyçjes në autostradë për Veternik, ku automjetet lëvizin me ritëm të ngadaltë dhe herë pas here ndalen plotësisht. Shoferët shprehen se pritjet po zgjasin disa minuta, ndërsa në terren vërehet qarkullim i dendur sidomos në drejtim të Prishtinës.

Ende nuk dihet saktësisht shkaku i krijimit të kolonave, ndërsa qytetarët këshillohen të përdorin rrugë alternative nëse kanë mundësi dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, sidomos pranë kyçjeve dhe daljeve të autostradës.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, lidhur me këto kolona, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.

Ekipi i KosovaPress do t’ju mbajë të informuar me të rejat nga terreni.