Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se masat e bllokimit ndaj produkteve serbe janë vendosur për shkaqe sigurie dhe jo për shkaqe tregtare.
Sipas Kusarit, ky vendim nga qeveria e Kosovës është marrë pas kidnapimit të tre policëve serbë më 14 qershor të vitit 2023.
“Janë dy procese në të cilat Kosova është pjesë e agjendave, gjegjësisht forumeve rajonale në raport me lehtësimin e tregtisë së lirë. I pari është i CEFTA-s, e cila ka qenë referencë fillestare e zotit Sarrazin, në të cilën Kosova ka qenë e përfaqësuar nga UNMIK-u. Në ndërkohë, pas kidnapimit të tre policëve me 14 qershor të vitit 2023, Republika e Kosovës ka vendosur masat e bllokimit ndaj produkteve serbe për shkak të sigurisë. Nuk kanë qenë konteste tregtare, por të sigurisë. Kërkesa e Gjermanisë ka të bëjë me heqjen e kësaj mase ndaj Serbisë në shkëmbim me vendosjen e emrit të Kosovës në marrëveshjen e CEFTA-s, përderisa po ndërlidhet me Procesin e Berlinit” – ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, para gazetarëve.
Më tej, Kusari-Lila, ka shtuar se beson që kjo masë do të hiqet brenda afateve kohore, pasi të sigurohen se nuk do të ketë asnjë lloj kontrabandimi ilegal nga ana e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
“Kosova është në pritje të skanerëve që do të bëjnë skanimin e kamionëve dhe maunëve në kufi. Unë besoj që në afatet kohore do të gjendet modaliteti më i mirë që në momentin kur kemi siguri të plotë, të parandalohet çfarëdo kontrabandimi ilegal nga ana e Serbisë brenda territorit të Kosovës, mund të hiqet masa e sigurisë, që po e rithkesoj që është çështje e sigurisë kombëtare” – ka thënë Kusari-Lila. /teve1.info/