Kuriozitete

Bombarduesi bërthamor i komanduar nga inteligjenca artificiale

Kompania amerikane Boeing ka në plan të ndërtojë një avion të ri luftarak, që do të pilotohet dhe komandohet nga inteligjenca artificiale. Avioni pa pilot, i quajtur MQ-28 Ghost Bats, parashikohet të përfshihet në flotën e Forcave Ajrore Amerikane.

Por ekspertët nuk janë shumë entuziastë për këtë projekt, sidomos pas aksidenteve të fundit të ndodhur me avionët komercialë të Boeing. “Historiku i Boeing tregon se nuk është alternativa më e mirë për të zbatuar një projekt të tillë”, tha ish-zyrtari i Departamentit të Shteit, Steven Feldstein, për “DailyMail.com”.

Avioni është projektuar që të mbajë disa lloje armatimesh dhe bombash, përfshi ato bërthamore, shkruan A2 CNN.

Deri tani raportohet të jenë ndërtuar 3 prototipa të avionit dhe janë testuar nga Forca Ajrore Mbretërore e Australisë (RAAF), ndërsa një avion është dërguar edhe në SHBA për testime më të detajuara. RAAF ka si synim pajisjen me 10 avionë të tillë të gatshëm për operacione ushtarake brenda vitit 2025.

Avionët e ndërtuar deri tani janë 11,5 metra të gjatë dhe mund të fluturojnë deri në 3700 km distancë, të drejtuar nga inteligjenca artificiale në mënyrë të pavarur.