Lajme

Bordi i Paqes rikonfirmoi mbështetjen e plotë të SHBA-së ndaj Kosovës

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka themeluar Bordin e Paqes, një mekanizëm të ri për adresimin e konflikteve ndërkombëtare, duke riafirmuar bindjen e tij se dialogu dhe diplomacia janë çelësi i stabilitetit global.

Në ceremoni morën pjesë udhëheqës nga Kosova, Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.

Presidendtja e Ksoovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të udhëhequra nga aleati strategjik fuqizon sovranitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, dhe se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim.

“Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt! 

Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.

Faleminderit Presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik.

Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Makolli: Kosova është produkt i angazhimit të SHBA-së dhe NATO-s

Analisti Vesel Makolli thekson se shtetet e vogla mbijetojnë falë lidershipit të mençur dhe rreshtimit të duhur gjeopolitik.

Ai vlerëson se Kosova është produkt i mbështetjes së SHBA-ve dhe NATO-s, ndërsa takimi i Presidentes Osmani me Presidentin Trump dhe anëtarësimi në Bordin e Paqes tregojnë përkushtimin amerikan ndaj Kosovës dhe hapjen e rrugës së saj drejt forumeve ndërkombëtare.

Nëse i referohemi fakteve historike, fati i kombeve (shteteve) të vogla është varur gjithmonë nga dituria dhe largpamësia e liderëve të tyre, për t’u rreshtuar drejt në konstelacionin e fuqive të mëdha dhe gjeopolitikës botërore. Më në fund, në shekullin e XX, shqiptarët ditën me u rreshtue drejt, prandaj u ndihmuan nga miqtë ndërkombëtarë për t’i krijuar dy shtete të tyre.

Kosova është produkt i angazhim

it të SHBA-së dhe NATO-s. Edhe sot sovranitetin tonë e mbrojnë ushtarët e aleancës më të fortë ushtarake të botës, ku fjalën kryesore e ka “nuni” i pavarësisë së Kosovës – SHBA-të.

Anëtarësimi në Bordin e Paqes të Presidentit Trump dhe takimi i shkurtër i Presidentes Vjosa Osmani me Kryetarin amerikan gjatë nënshkrimit tregon seriozitetin e angazhimit të SHBA-ve për shtetin e Kosovës dhe për të ardhmen e saj në familjen e shteteve perëndimore. Kjo nënkupton se Kosovës i hapen dyert për pjesëmarrje aktive në forumet ndërkombëtare të paqes dhe bashkëpunimit”, thotë ai për “Bota sot”.

Image
Vesel Makolli

Makolli thotë se prania e NATO-s dhe mbështetja e vazhdueshme e SHBA-ve dëshmojnë përkushtimin amerikan ndaj sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës. Takimi Trump–Osmani është vazhdimësi e aleancës, jo ndryshim kursi.

Ai thekson se qeveria e ardhshme duhet të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Çlirimi nga trupat e NATO-s, një ndër bazat më të mëdha ushtarake të kësaj aleance gjendet në Kosovë, si dhe angazhimi permanent i SHBA-së me ndihma materiale dhe kuadrovike në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar për njohje nga shtetet e botës, tregon se qëndrimet e administratës amerikane janë dhe do të jenë në kontinuitet për mbrojtjen dhe prosperitetin e Kosovës në çdo aspekt, pa marrë parasysh se kush qëndron në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë kontekst, takimi Trump–Osmani nuk është rikonfigurim, por është vazhdimësi e marrëdhënieve aleate (miqësore), për shtyrjen e proceseve për finalizimin e shtetësisë sonë në rrafshin ndërkombëtar.

Çdo qeveri që del pas zgjedhjeve të fundit duhet të punojë në koordinim strikt me miqtë tanë ndërkombëtarë, për ta përmirësuar rejtingun tonë ndërkombëtar dhe për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse shqiptaro-serbe, me garanci ndërkombëtare, në veçanti nga “nuni” i pavarësisë së Kosovës – SHBA-të, e cila do të mundësojë finalizimin e shtetësisë sonë dhe anëtarësimin në OKB” – përfundon ai për gazetën.

Maraj: Përfshirja e Kosovës në këtë bord është vlerësim i lartë i Kosovës

Analisti Milazim Maraj thotë se përfshirja e Kosovës në Bord të Paqes është një vlerësim i lartë nga SHBA dhe Presidenti Trump, duke reflektuar qasjen pozitive amerikane ndaj Kosovës pas angazhimit të Presidentes Osmani.

Ai vlerëson se politika paqësore dhe e mençur e saj po sjell njohje të reja ndërkombëtare dhe vazhdon rrugën e Presidentit Rugova për paqe dhe dialog demokratik.

“Kosova e vlerësuar nga SHBA. Bordi i paqes që tani për tani ka 19 shtete të pavarura ndër to është edhe Kosova. Përfshirja e Kosovës në këtë bord është vlerësim i lartë i Kosovës që i bënë SHBA konkretisht Presidenti Danald Trump. Qasja e SHBA pas një angazhimi, shpjegimi të artikuluar mirë, konfirmimi dhe vërtetimi proceseve demokratike në Kosovë, nga Presidentes Vjosa Osmani ka ndryshuar për të mirë qasjen amerikane për Kosovën. Ky akt tregon që SHBA nuk heq dorë nga aleatët e saj. Kosova është vlerësuar si shteti më pro amerikan në botë. Politika paqësore dhe e mençur e Presidentes Osmani po jep rezultate pozitive.

Si në konfirmimin 20 njohjeve për të cilat Serbia pretendonte që me ndikimin e saj kanë tërhequr njohjet, ashtu edhe me njohje nga katër shtete tjera. Tani në këtë bord të paqes ka më shumë mundësi komunikimi dhe ndikimi nga SHBA për njohje të reja. Pranimi i Kosovës në këtë Bord të paqes tregon se rruga e Presidentit Rugova është rrugë për paqe në Botë. Këtë rrugë po e vazhdon Presidentja e Kosovës  Dr. Vjosa Osmani. Rruga paqësore, me dialog demokratik është garantuese e jetës së lumtur të njerëzve në terë Botën”, thotë ai.

Analisti vazhdon se pjesëmarrja e Kosovës në Bord të Paqes tregon besim të lartë ndërkombëtar në udhëheqjen dhe demokracinë e saj dhe se bashkëpunimi me SHBA forcon stabilitetin, lirinë dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Image
Milazim Maraj

“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Bord është vlerësim i besimit të lartë ndërkombëtar për Kosovën dhe udhëheqjen e saj. Ky vlerësim është besim në koherencën politike të Kosovës, për respektimin e të drejtave të njeriut për të jetuar në paqe. Bashkëpunimi i Kosovës me SHBA është i domosdoshëm për Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e saj. Cilësitë demokratike Kosova ka treguar qysh në funksionimin e shtetit nën okupim, pas lufte, pas ri shpalljes së Pavarësisë dhe tani pas disa palë zgjedhjeve të lira në Kosovë.

Stabiliteti politik dhe demokratik i Kosovës është një garanci tjetër për kulturën politike dhe civilizimin e shtetit tonë. Diplomacia e mençur, e studiuar mirë nga Presidenca dhe Presidentja e Kosovës ka forcuar bindjen dhe besimin se  Kosova e lirë , e pavarur dhe demokratike është garantuese e paqes në Gadishullin Ilirik dhe më gjerë”, shpjegon ai.

Në fund, Maraj, thotë se Bordi i Paqes ka rëndësi të madhe politike dhe gjeopolitike, dhe përfshirja e Kosovës tregon mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Presidenti Trump shfaqi bindjen së ky bord do të bej shumë punë të mira madje edhe plotë aso që nuk i ka bërë OKB ndërsa ka pas obligim të i kryej. Kjo tregon se rëndësia politike dhe gjeopolitike e këtij bordi është e madhe.

Ndërsa në këtë bord të një rëndësie të tillë bën pjesë edhe Kosova. Pranimi i Kosovës në këtë bord tregon edhe një herë një qëndrimin e SHBA për Kosovën dhe një vazhdim të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA. Marrëdhënie të cilat nuk do të ndërpriten kurrë. Kosova ka provuar çka do të thotë rindërtimi i vendit dhe rehabilitimi i qytetarëve. Rindërtimi i Gazës është kontribut i rëndësishëm për paqe në këtë pjesë të botës” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme