Lajme

Bosi i drogës në Ekuador, Remzi Azemi: Xhaxhai ambasador më dërgoi për diplomaci

Remzi Azemi, shqiptari nga Kosova i cili ishte në listën e Interpol u arrestua më 6 dhjetor në Maqedoninë e Veriut. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi akuzohet për vrasje të dyfishtë.

Azemi, njihet ndryshe dhe si një nga krerët e grupeve më të mëdha kriminale në Ballkan. Gjatë dëshmisë së dhënë bosi i drogës ka rrëfyer jetën e tij, se si merrte para nga familjarët, madje edhe për mënyrën se si arriti në Ekuador.  Në dëshminë e tij, të siguruar nga A2 CNN, mësohet të ketë thënë se ka qenë një të afërmi të tij, diplomat në atë kohë, Blerim Canaj, ish-zv.ambasador i Kosovës në Gjermani ai i cili e ndihmoi që të shkonte në Ekuador.

I marrë në pyetje lidhur me vrasjen e Ilir Hidrit në 30 maj të vitit 2017, Azemi ka treguar për herë të parë se e njihte viktimën dhe kur ndodhi ngjarja, ai kishte qenë i shtruar në spital prej tre ditësh.

“Zoti prokuror, më duhet të tregoj se meqenëse më 27 maj 2017, nuk e mbaj mend orën, kur jam shtruar në këtë klinikë për skopolaminë, pasi nuk është hera e parë që më ndodh, më duhet të tregoj sa vijon: E njihja si Genti, dikush tjetër e njihte me emrin David. Më thirri për të takuar një shok në aeroportin e Guayaquil. Nuk e mbaj mend datën, por ishte në gusht 2016 dhe prej aty e çova në shtëpinë time, që ndodhet në Bello Horizonte, Mz. 20. Vila nr 8, ku kam jetuar afërsisht deri në janar 2017. Që nga ajo kohë, shkova te një shok në Puerto Sana Ana, që është serb dhe quhet Luca. I thashë të më ndihmonte të më jepte një apartament, meqë ai nuk kishte pasaportë dhe do të ikte. Pasi ma la banesën mua, prej asaj kohe, shqiptarin nuk e kam parë”, thotë Remzi Azemi.

Remzi Azemi, i dyshuar si një nga krerët e grupeve më të mëdha kriminale të Ballkanit, mesa duket përdorte një rrjet vajzash, të cilat bënin të mundur tërheqjen e parave. Edhe pse dyshohej se ishin para të krimit të organizuar, Azemi tha para prokurorëve se paratë i vinin nga familja dhe tërheqja e tyre bëhej nëpërmjet kompanive të transfertave të parave.

Në përgjigje të prokurorisë, Azemi tregon për herë të parë arsyen se përse kishte mbërritur në Ekuador.

“Kam ardhur me pushime, dhe prej kësaj kohe jam duke punuar për ndërtimin e marrëdhënieve Ekuador-Kosovë, pasi më ka dërguar xhaxhai im, i quajtur Blerim Canaj, i cili është ambasador i Kosovës në atë vend. Momentalisht jam duke kërkuar kontakte diplomatike, por nuk kam”, ka dëshmuar ai.

Edhe pse i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Hidrit, ai kishte një alibi të fortë.

Pyetja e Prokurorit: Tregoni nëse keni dijeni se me çfarë merrej shqiptari i vrarë?

Remzi Azemi: “Ne nuk i pyesim ata. Më mirë të mos e bëjmë këtë pyetje, sepse na quajnë kalamaj. Isha në Pascuales, më 27 maj 2017, rreth orës 14:00-15:00… pak a shumë. Në këtë rrugë u afruan dy gra dhe i pyeta nëse donin të hanin diçka dhe i ftova për një pije. Ato pinë birra dhe unë pije freskuese. Mbaj mend se në momentin që jam zgjuar kam qenë i shtruar në spital. Ato gra me të cilat isha më kanë marre çdo gjë. Më duhet të theksoj që kam pasur 850 dollarë me vete dhe një celular. Nuk kisha asnjë problem me shqiptarin e vrarë, as për çështjen e shtëpisë, sepse ai paguante qiranë”.

Azemi u tha prokurorëve se jeta që bënte në Ekuador ishte nga palestra në shtëpi dhe më pas e njëjta rutinë. Ai tregoi se nga lidhja me njërën nga vajzat ne Ekuador, të cilën e përdorte për të tërhequr para kishte dhe një fëmijë. I pyetur nëse kishte pasur probleme me ligjin, ai përmend një pjesë të emrave me të cilët u njoh në vitin 2013 e që më pas u arrestuan përgjatë operacionit “Ballkani”. Edhe pse, sipas dëshmisë së tij tregonte se paratë i merrte nga familja, ai kishte arritur të blinte një automjet për 17 mijë dollarësh që e kishte shitur më pas për 12 mijë. Ndërkohë, pjesën tjetër të të arrestuarve, ai tha se i kishte takuar në burg ku nuk qëndroi gjatë.

LEXO EDHE: E vrau në Ekuador, bosi i mafies ballkanike Remzi Azemi: Hidri pinte kokainë 24 orë

Kush është Remzi Azemi

Remzi Azemi, shetats i Kosovës, i cili kërkohej nga Interpoli për trafik droge dhe  për vrasjen e shqiptarit Ilir Hidri në Ekuador në maj të vitit 2017 u arrestua në Maqedoninë e Veriut më 6 dhjetor 2023.

Remzi Azemi, i shpëtoi atentatit mafioz të ndodhur në nëtor të 2017-ës në Guajajakil. Remzi Azemi nuk  është emër i panjohur për policinë Ekuadoriane Ai  dyshohet se ishte përfshirë në trafik droge, pjesë e grupit të shqiptarit Ilir Hidri, 39 vjeç, i cili u vra në vitin 2017 në jugperëndim të Buenos Aires, pas prishjes së pazareve për lëndët narkotike.

Në vitin 2014 grupi i përbërë nga 12 anëtarë u kap me 277 kilogramë  kokainë në tre operacione të ndryshme, në të cilat u arrit të sekuestroheshin 3 tonë drogë të forta. Në operacionin e koduar “Ballkani” antidroga ekuadoriane goditi grupin e përbërë nga shqiptarë, kosovarë, ekuadorianë, por edhe Grekë.

Ndërhyrja e policisë u shtri në tre qytete në Guayaquil, Duran dhe Samborondon ku u sekuestruan 277 kilogramë kokainë, 104 marijaunë, 27 kilogramë heroinë 38 mijë dollar 32 mijë euro 7 automjete dhe dy armë zjarri.

Në pranga në Qershorin e vitit 2014 ra dhe Remzi Azemi së bashku me dy shqiptarë të tjerë Pelivan. R dhe Lulezim M. Së bashku me ta u arrestuan dhe 9 persona të tjerë mes tyre dhe një nga Greqia.

Sipas autoriteteve Ekuadoriane grupi e siguronte kokainën në kufirin e Kolumbisë dhe Perusë. Sapo ngarkesat mbërrinin, ato fshiheshin në shtëpinë e njërit prej të arrestuarve. Pas ndërhyrjes së policisë veç drogës u sekuestruan dhe 8 automjete, të cilat përdoreshin nga trafikantët për të shpërndarë kokainën.

Ende nuk dihet se si Azemi ka arritur të dalë nga burgu në kaq pak kohë, por sipas autoriteteve, mendohet se atentati ndaj tij ka të bëjë me trafikun dhe përplasjen e grupeve rivale që operojnë në Ekuador.

 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo