Pesë shkurti ka qenë afati i fundit që partitë ose kandidatët t’i drejtohen Gjykatës Supreme.
E pas këtij hapi, do të hapet rruga për certifikim të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Por, KQZ-ja ende nuk ka një datë të saktë.
“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, ka bërë të diur Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Nga Supremja kanë bërë të ditur se gjashtë ankesa kanë arritur në adresën e tyre.
Të gjitha këto, janë ankesa kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“1 ankesë administrative, kundër vendimit të PZAP-së, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës. 1 ankesë administrative, kundër vendimit të PZAP-së, nga Koalicioni PAI-PDAK-LPB, 1 ankesë administrative, kundër vendimit të PZAP-së, nga Emilia Rexhepi (NDS), 1 ankesë administrative, kundër vendimit të PZAP-së, nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka-NDS), Prizren, 2 ankesa administrative, kundër vendimeve të PZAP-së, nga Bekim Haxhiu”, ka njoftuar Gjykata Supreme.
E pas certifikimit, afati për konstituim të Kuvendit të Kosovës është 30 ditë.
Por hulumtuesi i Institutit i Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi ka thënë se seanca mund të thirret edhe më herët.
“Data e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri apo presidentes së re është deri më 4 mars, kështu që nëse e shohim datën 4 mars dhe nëse e llogarisim 30 ditëshin nga data e certifikimin zyrtar të certifikimit të zgjedhjeve atëherë shohim që deputetet me patjetër duhet që Kuvendin ta konstituojnë para afatit kushtetues maksimal që është 30 ditë, dmth duhet të mos e presin këtë afat dhe Kuvendi të konstituohet më herët për faktin e obligimit kushtetues”, tregon Kolshi.
Supremja ka afat pesë ditë për vendosjen e këtyre ankesave, të cilat ishin refuzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.