Britania e Madhe ka bërë thirrje për qetësi dhe respektim të procesit gjyqësor pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ministri britanik për Evropën, Lord Wood of Anfield, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rikonfirmuar qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për drejtësinë dhe llogaridhënien.
“Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në të gjithë rajonin”, ka deklaruar Wood.
Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së qetësisë pas vendimit, në një kohë kur në Kosovë dhe në rajon janë shtuar reagimet publike lidhur me aktgjykimin.
Qëndrimi i Londrës vjen në një ditë kur Dhomat e Specializuara shpallën vendimin e shkallës së parë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Britania e Madhe ka qenë vazhdimisht e angazhuar në mbështetjen e stabilitetit dhe proceseve të drejtësisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
