Lajme

BSPK kujton 36-vjetorin e Grevës së 3 Shtatorit

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka përkujtuar sot 36-vjetorin e Grevës së Përgjithshme të 3 shtatorit 1990, duke e cilësuar atë si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të rezistencës paqësore në Kosovë.

Në një komunikatë për media, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka shprehur nderim për punëtorët dhe qytetarët e Kosovës që, në një periudhë të rëndë të historisë, u organizuan për mbrojtjen e të drejtave të punës, dinjitetit njerëzor dhe vullnetit politik e kombëtar.

Sipas BSPK-së, Greva e Përgjithshme e 3 shtatorit 1990 ishte më shumë se një ndërprerje e punës. Ajo u cilësua si një përgjigje e organizuar ndaj politikave diskriminuese të regjimit serb, largimit të punëtorëve shqiptarë nga vendet e punës, suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe goditjes së institucioneve të vendit.

Thirrjes së sindikatës iu përgjigjën punëtorë, studentë, zejtarë dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, duke e shndërruar grevën njëditore në një manifestim të gjerë të rezistencës paqësore.

BSPK ka theksuar se punëtorët e asaj kohe dëshmuan se vendi i punës përfaqëson jo vetëm burim të të ardhurave, por edhe dinjitet, përgjegjësi shoqërore dhe liri.

“Greva e Përgjithshme ishte e qetë në formën e saj, por e fuqishme në përmbajtjen dhe jehonën e saj”, thuhet në komunikatë.

Sindikata ka vlerësuar se 3 shtatori 1990 mbetet një datë e rëndësishme në historinë e lëvizjes sindikale, politike dhe shoqërore të Kosovës.

Megjithatë, BSPK ka ngritur edhe shqetësimet për gjendjen aktuale të punëtorëve në Kosovë, duke përmendur pagat, koston e jetesës, sigurinë në vendin e punës dhe mungesën e progresit në dialogun social.

Duke përkujtuar 3 shtatorin 1990, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli i bën thirrje partnerit social, Qeverisë së Republikës së Kosovës, që pa vonesa të mëtejshme të krijojë kushtet për negocimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe ta dëgjojë zërin e BSPK-së si zë legjitim të punëtorëve të vendit.

BSPK ka deklaruar se përkujtimi i kësaj date duhet të shërbejë edhe si zotim për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

“Lavdi qëndresës së punëtorëve të Kosovës! Nderim Grevës së Përgjithshme të 3 shtatorit 1990!”, përfundon komunikata.

Të Ngjashme