Kuzhinë

Bukë e mbushur me djathë dhe hudhra e pjekur në furrë

Një recetë e thjeshtë, ideale për t’u provuar në këto ditë të ftohta.

E plotë në shije dhe kërkon pak kohë në përgatitje. AgroWeb.org ju sjell më poshtë recetën e mrekullueshme të bukës së mbushur me djathë.

Përgatitja e Bukës së Mbushur me Djathë
Përbërësit
Një bukë jo masive e përshtatshme për 4 persona
200 djathë kaçkavall
1 lugë kafe piper i kuq djegës pluhur
Majdanoz i grirë hollë
2 lugë gjelle gjalpë i freskët pa kripë
6 thelpinj hudhrash
Përgatitja
Përzgjidhni një bukë jo masive të rrumbullakët apo ovale. Sipas dëshirës bukën mund ta merrni integrale të zezë, ose të bardhë.

TS Poll - Loading poll ...

Përmes një thike të mprehtë, prijeni horizontalisht dhe vertikalisht duke formuar katrorë nga 1 cm por bëni kujdes që të mos e prisni bukën deri në fund. Pra, katrorët që do ndani duhet të jenë të lidhur me pjesën e poshtme të bukës.

Prijeni djathin kaçkavall në fetëza të holla të vogla.

Kombinoni majdanozin e grirë dhe piperin e kuq djegës në një tas të vogël.

Shtypni hudhrat.

Bukën vendoseni në një letër pjekjeje e cila duhet të jetë aq e madhe sa të mbulojue gjithë bukën.

Në të gjitha pjesët e ndara të katrorëve të bukës vendosni fetat e djathit kaçkavall, në fillim horizontalisht pastaj vertikalisht.

Spërkatini pjesët e ndara më pas me majdanozin e grirë hollë dhe specin pluhur djegës.

Ndërkohë parangrohni furrën e sobës në temperaturë maksimale.

Në një tigan të vogël shkrini gjalpin, shtoni aty hudhrat e shtypura, kaurdisini bashkë për maksimumi 2 minuta dhe largojeni nga zjarri.

Përmes një luge të vogël hudhrat e shtypura që keni në tigan vendosini mes pjesëve të ndara të bukës ku keni vendosur djathin.

Të gjithë sipërfaqen e bukës lyejeni me gjalpin që keni në tigan.

Mbulojeni bukën me letrën e pjekjes vendoseni në një tavë dhe futeni të piqet përreth 20 minuta.

Pas 20 minutash hiqeni letrën e pjekjes dhe futeni bukës edhe për 10 minuta të tjera derisa djathi të shkrijë plotësisht dhe sipërfaqja e bukës të marrë ngjyrë të artë në të kuqërremtë. Konsumojeni të ngrohtë./AgroWeb.org



ks