1
Anëtarja e BE-së, Bullgaria, shënoi hyrjen e saj në eurozonë të enjten me një shfaqje monedhash euro në fasadën e bankës qendrore në Sofje dhe fishekzjarre për të festuar një moment të shumëpritur.
Që nga mesnata, euro u bë monedha e vendit dhe lev ka mbetur vetëm në histori.
Hyrja e Bullgarisë në eurozonë do ta çojë numrin e evropianëve që përdorin monedhën në më shumë se 350 milionë. Vendi i fundit që iu bashkua grupit të monedhës së vetme ishte Kroacia në janar 2023, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
“Paratë tona do të jenë në një monedhë tjetër – nëse unë kam 10,000 leva, tani do të kem 5,100 euro. Është njësoj. Dhe mendoj se do të jetë më mirë.” tha Stefan Bisterkov, një instruktor drejtimi.
Përveç ndryshimit të monedhës, të bëhesh anëtari i 21-të i eurozonës do të thotë që Bullgaria merr një vend në Këshillin Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane që përcakton normat e interesit.
Qeveritë e njëpasnjëshme bullgare janë përpjekur ta bëjnë këtë hap që kur vendi ballkanik me 6.7 milionë banorë iu bashkua BE-së në vitin 2007. Sondazhet e opinionit tregojnë se bullgarët janë të ndarë për këtë çështje, megjithëse bizneset janë kryesisht në favor.
“Pritjet e mia nga (adoptimi) i euros janë pozitive, nuk mendoj se do të ketë asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi. Ne vetëm do të përfitojmë nga kjo dhe do të jetë vetëm më e dobishme për ne”, tha Antonia Tsvetkova, një argjendare.
“Kushdo që shkon në një udhëtim nuk do të ketë probleme me shkëmbimin e monedhës, tani gjithçka do të jetë normale.”
Disa bullgarë shqetësohen se përdorimi i euros do të rrisë çmimet ose janë dyshues ndaj një establishmenti politik vendas që është në krizë. Qeveria dha dorëheqjen muajin e kaluar mes protestave të përhapura kundër rritjes së propozuar të taksave.


