Gazetari Blendi Fevziu ka sqaruar në nisje të “Opinion” një video të bërë virale nga emisioni i së Mërkurës. Te kjo video, Arlinda Muja nga Shoqata e Mikrokredive Shqiptare tha se është e mundur të merret me këste një celular dhe në fund të paguash po aq sa çmimi fillestar, pra pa normë interesi. Këtë të fundit sipas ekspertes e shlyen dyqani që ka marrëveshjen me institucionin kredidhënës.
Por një gjë e tillë sipas institucioneve për mikrokreditë vlen vetëm për disa lloje celularësh. Kështu, Fevziu sqaroi këtë ‘konfuzion’ duke marrë parasysh edhe bumin e reagimeve në rrjetet sociale.
“Dua të kërkoj një lloj ndjese edhe pse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me mua. Gjatë emisionit të djeshëm kur kemi folur për mikrokreditë, kreditë konsumatore…Gjatë një pyetje që unë kam bërë për pagesën me 0 interes përshembull të shumë prej mallrave që mund të blihen përmes kredive konsumatore, unë mora shembull celularin. Pyeta a është me 0 interes celulari? Kam marrë një përgjigjie nga zonja që ishte në studio. Kjo video ka marrë rreth 1 milion shikime në Instagram e 600 mijë shikime në Tik Tok deri tani. Unë në celularin tim personal kam pasur mbi 300 mesazhe, ndërkohë mund të futeni te komentet dhe të shihni se ka me mijëra mesazhe të tjera që pretendojnë se nuk është e vërtetë. Me të parë reagimet, emisioni ka bërë një kërkesë te institucionet e mikrokredive për të dhënë një shpjegim të saktë.
Në fakt, institucionet e kreditimit të konsumatorit më thanë se kjo vlen vetëm për një numër të limituar celularësh, kryesisht ata të prodhimeve më të vjetra, pra që nuk janë të fundit. Ndërsa për celularët e ri në treg asnjë prej celularëve nuk ofrohet falas, ka nga 1.9 deri në 3.4% interes. Ndërsa për mallra të tjerë, ku marzhi i fitimit është i madh interesi është 0. Te celulari nuk është 0!”, tha Fevziu.