11.04.2026 – 10:18
Vdes personi që plagosi të dashurën dhe veten në Ferizaj

Personi që plagosi të dashurën e tij dhe më pas qëlloi veten në Ferizaj, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli.
“Më 10.04.2026, rreth orës 22:00, është raportuar rasti ku kanë mbetur të plagosur dy persona: L. U. (24-vjeçare), femër, kosovare, dhe V. K. (32-vjeçar), mashkull, kosovar. Viktima e rastit, L. U., pasi ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt, është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku ndodhet ende nën përkujdesjen e mjekëve.
“Ndërsa personi V. K., i cili në këtë rast ishte në cilësinë e të dyshuarit dhe po trajtohej në QKUK në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të marra, më 11.04.2026, rreth orës 04:05, sipas informatës së pranuar nga QKUK në Prishtinë, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. Rasti fillimisht është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, ndërsa pas rrethanave të reja, mbetet në kompetencë të prokurorit për cilësimin e mëtejshëm ligjor”, njoftoi Veseli.
11.04.2026 – 10:18
Burri qëllon të dashurën e tij dhe më pas veten, jep detaje policia
Mbrëmë vonë, një i dyshuar mashkull ka shtënë me armë zjarri në drejtim të të dashurës së tij, e më pas ka qëlluar edhe veten në Ferizaj, njofton policia.
Të dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me një karikator që përmbante gjashtë fishekë, si dhe tri gëzhoja nga arma e përdorur.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri drejt të dashurës së tij dhe më pas e qëllon veten. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me një karikator gjashtë fishekë dhe tri gëzhojat e armës së përdorur”, thuhet në raportin e policisë.
Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.
