Analisti politik Ardian Bytyqi ka komentuar situatën e krijuar në vend për zgjedhjen e presidentit dhe opsionet që Kosova ka për tejkalimin e krizës institucionale. Ai foli në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, duke u fokusuar te përgjegjësitë e partive politike dhe mundësitë për të lëvizur drejt zgjedhjeve.
“Të gjithë ata të cilët e kanë marrë bekimin e qytetarëve janë fajtorë, sepse duhet të kuptojnë që mandati nuk është për të bllokuar institucionet, por për t’i krijuar ato. Unë mendoj se ata të cilët mungojnë në sallë dhe pengojnë situatën, sipas aktgjykimit të vitit 2011 në rastin Pacolli, duhet të jenë të pranishëm; për të paktën të përfundojë raundi i parë duhet të ketë 80 deputetë në sallë”, ka thënë Bytyqi.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut politik dhe rolin e kryeministrit në tejkalimin e krizës.
“Jeta politike vazhdon dhe kryeministri Kurti ka të drejtë që të thërrasë në takime liderët e partive për të diskutuar se çfarë do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe të ketë bisedime për bashkëpunim. Edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm, nëse thirret Kuvendi për seanca apo Presidenca merr vendim, masa nuk është për qeverinë, por për Kuvendin dhe dekretin e presidentit. Çdo vendim i tillë duhet të respektohet, ndërsa Kurti nuk është në kundërshtim me këtë. Mendoj se vendimi i Gjykatës do të na ndihmojë të provojmë edhe një herë çështjen e zgjedhjes së presidentit”, ka shtuar ai.
Bytyqi nënvizoi se përgjegjësia për situatën e krijuar bie mbi të gjithë ata që kanë marrë mandat nga qytetarët, dhe se dialogu ndërpartiak mbetet rruga kryesore për tejkalimin e bllokadës institucionale.
