Lajme

Canaj: Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, borxh që Mickoski ia kishte Kurtit

Diplomati dhe profesori universitar, Blerim Canaj ka thënë se është skeptik nëse marrëveshjet e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë Veriore do të japin rezultat.

Madje ai ka thënë se tri marrëveshjet kanë qenë sa për të arsyetuar këtë takim.

Canaj në emisionin “InfoNata” në Tëvë1 ka thënë se takimi më shumë është organizuar si kthim i borxhit ndaj Kurtit nga kryeministri maqedonas për shkak të ndihmës që i dha gjatë zgjedhjeve

“Marrëveshjet e nënshkruara kanë qenë sa për të arsyetuar takimin, për shkak se gjithë e dimë që kjo qeveri e tanishme e Maqedonisë së Veriut e cila është argumentuar si anti-shqiptare, ka ardh me ndihmën e Kurtit. Takimi duket që e ka pas borxh Qeveria e maqedonase pasi Kurti e ka ndihmuar”, ka thënë Canaj.

Në konferencën e përbashkët pas mbledhjes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai maqedonas Hristijan Mickoski, shprehen vullnetin për bashkëpunim.

Të dy thanë se ndërmjet dy vendeve nuk ka probleme. Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Kurti tha se beson në një vendim të drejtë e jodiskriminues të Gjykatës Kushtetuese.

Në mbledhjen e përbashkët u miratuan tri marrëveshje: Protokolli ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovë dhe Qeverisë së Republikës Maqedonisë së Veriut për Implementimin e Marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë; 2.Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre përkatëse; 3.Memorandumi i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në fushën e arsimit, me fokus tek Arsimi dhe Aftësimi Profesional dhe arsimi i të rriturve.