Kanë kaluar 40 ditë që nga ndarja e parakohshme nga jeta e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, një humbje që ka lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij.
Sot, kunati i tij, Arbër Çepani, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar Bogdanin dhe lidhjen e fortë që ata ndanin. Çepani shpreh dhimbjen për humbjen e mikut të tij të ngushtë, dhe kunatin e tij, duke e kujtuar me mall për bisedat dhe momentet që ndanin së bashku.
“40 ditë pa ty shoku im… akoma shpresoj çdo mëngjes të të gjej tek tavolina jonë dhe të pijmë kafen bashkë, për të folur për çdo gjë që lamë në gjysmë,” ka shkruar Çepani, duke ndarë me ndjekësit një copëz të dhimbjes së tij të thellë për këtë humbje të papritur.
Gerti Bogdani, një figurë e njohur në Partinë Demokratike dhe në skenën politike shqiptare, u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare për shkak të një arresti kardiak, ndërsa ishte në një takim me miq në një prej hoteleve të kryeqytetit. Lajmi i hidhur tronditi komunitetin politik dhe publikun e gjerë, duke lënë pas kujtime të një njeriu të përkushtuar dhe me vlera të spikatura në jetën publike. Kujtimi i tij mbetet i gjallë për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të, ndërsa mesazhi i Çepanit na rikujton sa e dhimbshme është humbja e parakohshme e një miku dhe një personi të dashur.