Lajme

Çeku: Boja mbështetës i lëvizjes paqësore dhe luftës së UÇK-së

Ish kryeministri i Kosovës dhe ish komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës(TMK), Agim Çeku në konferencën shkencore të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës(BIK) për figurën e ish-myftiut dhe ambasadorit të Kosovës, Rexhep Boja ka thënë se Boja ishte mbështetës dhe frymëzues për brezat e ri në rrugën e atdhedashurisë.

Ashtu siç e mbështeti lëvizjen paqësore profesor Boja do të mbështeste fuqishëm edhe luftën për liri të udhëhequr nga UÇK-ja, ka thënë Çeku.

Ky popull ka hyrë në rrugën drejt fitores. Ne jemi të këtij populli dhe përherë do të jemi në mesin e tij. Hoxha gjendet përherë pranë flamurit“.

Këto fjalë të profesor Bojës ishin thirrje e qartë për mobilizim në radhët e UÇK-së tha Çeku.

Kësaj thirrjeje ju bashkuan edhe shumë imamë të cilët ishin frymëzuar e brymosur me ndjenja të larta kombëtare dhe fetare. Shumë nga ta ranë dëshmorë në themelet e lirisë së Kosovë duke ndjekur kështu shembullin e shumë prijësve fetarë të cilët ne shekuj ishin flijuar për liri. Nuk duhet harruar as ndihmën e madhe që Bashkësia Islame i dha UÇK-së në fushën e logjistikës”, ka thënë ai, shkruan Dukagjini.com.

“Gjatë kohës sa shërbeja si komandant në TMK-së me profesor Bojën e kemi skicuar se si duhet të ndërtohet raporti mes fesë dhe ushtrisë, siç e kanë të gjitha ushtritë moderne të botës në të cilat besimi ka rolin e vet. Sot ushtria jonë ka imamin e vet dhe hapësirat e nevojshme që pjesëtarët e saj të praktikojnë fenë e tyre siç e kanë të rregulluara të gjitha ushtritë e vendeve demokratike. Forcimi i besimit e forcon edhe karakterin dhe personalitetin e ushtarakut dhe e bën atë më të kompletuar”, ka thënë Çeku.

Çeku tutje shtoi se ”Kur në mars të vitit 2006 kam marrë postin e kryeministrit për të udhëhequr Kosovën në fazën finale të procesit të pavarësisë e kam ftuar Profesor Bojën që të jetë pjesë e ekipit tim në këtë proces me fokus angazhimin e tij në vendet arabe. Ai e ka pranuar pa asnjë hezitim këtë mision dhe për dy vjet ka punuar me vullnet dhe përgjegjësi prej burrështetasi pa kërkuar asnjë kompensim nga shteti. Ai ishte emisar special i Kosovës në botën arabe”.

Edhe pse ka vepruar në një terren të vështirë diplomatik duke ju falënderuar lidhjeve të tij jo vetëm më politikanë por edhe me figura të rëndësishme të shteteve arabe, Profesor Boja ka arritur të marrë mbështetje nga shumë vende. Njohjet që do të vinin për Kosovën nga shtete arabe me ndikim janë si rezultat edhe i angazhimit të pakursyer diplomatik të Profesor Bojës, i cili ishte një nga themeltarët e diplomacisë së Kosovës.

Profesor Boja po i mungon shumë shtetit të Kosovës. Të gjithëve po na mungon urtësia, guximi dhe largpamësia e tij. Të gjithë ne, veçanërisht Bashkësia Islame, e kemi për detyrë ta kultivojmë frymën e tolerancës që ai e ka mbjellë dhe ta ruajmë atë nga rryma që nuk janë tonat por dhe nga lëvizje dhe iniciativa që nuk i shërbejnë kësaj tolerance të ndërtuar me shekuj.

Profesor Boja i ka dalë hakut popullit dhe vendit të tij. Por unë nuk jam i sigurt nëse ne i kemi dal hakut atij. Ishalla na e ka bo hallall”, ka thënë ish-kryeministri Agim Çeku në fjalën e tij.