Ish-presidentja dhe kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka folur sërish lidhur me deklaratat e saj ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti për çështjen e kampit amerikan Bondsteel.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Osmani është përgjigjur ndaj deklarimeve të Kurtit në një intervistë në KTV, ku ai kishte thënë se ka qenë për një kontratë afatgjatë për Bondsteel-in në Kosovë.
Osmani ka theksuar se deklaratat e saj dhe ato të Kurtit janë dy çështje të ndryshme, duke shtuar se qëndron prapa gjithçkaje që ka deklaruar më herët.
“Janë dy çështje të ndryshme. Ajo çka flet kryeministri është çështje krejt tjetër, ajo që kam thënë unë është çështje krejt tjetër. Qëndroj prapa të gjitha fjalëve që i kam thënë në tubimin e bashkimit”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se si presidente ka vepruar gjithmonë me kujdes, duke theksuar se shumë çështje nuk i ka bërë publike për të mos rrezikuar interesin e shtetit.
“Ka shumë e shumë çështje të tjera, as një përqind të dëmeve që shpeshherë është dashur t’i parandaloj nuk i kam thënë, sepse nuk është synimi që ato të thuhen në publik. Një president i shtetit i bën këto gjëra prapa dyerve të mbyllura, siç i kam bërë gjithmonë, pa e vendosur Kosovën asnjëherë në rrezik, por gjithmonë duke e mbrojtur nga dëme potenciale”, është shprehur ajo.
Osmani ka theksuar se, nëse zgjidhet sërish presidente, do të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë, duke thënë se detyra e presidentit është të ruajë balancën demokratike dhe kushtetuese.
“Të njëjtën gjë do ta bëj edhe në mandatin e dytë, sepse kjo, tekefundit, është detyra e një presidenti të Republikës. Kur institucionet e tjera gabojnë dhe rrezikojnë balancën demokratike, dhe kur dëshirojnë të ndërhyjnë në shtyllat themelore të shtetësisë dhe Kushtetutës sonë padashje, shpeshherë, nuk po them që e kanë qëllim, por kur kanë ndonjë ide e cila mund t’i rrezikojë këto shtylla, atëherë i takon presidentes apo presidentit të shtetit që të ndërhyjë dhe të sigurohet që këto shtylla demokratike dhe kushtetuese të mbrohen me çdo kusht, dhe që balanca demokratike mes institucioneve të ruhet me çdo kusht. Këtë detyrë e ka presidenti, e jo të rrijë si observues i këtyre zhvillimeve dhe të mos bëjë asgjë”, ka përfunduar Osmani./teve1.info/
