Lajme

Çfarë do të ndodhë me euron? Skenarët që ‘rrëzuan’ monedhën europiane

Që prej janarit të vitit 2002, ku u hodh për herë të parë në qarkullim si monedhë fizike, euro është konsideruar si valuta e fortë. Sot vetëm e tillë nuk është. Në dy vitet e fundit, zhvlerësimi i saj ka qenë me ritme të forta e të pandalshme, duke krijuar në momente të caktuara edhe panik tek një pjesë e bizneseve dhe qytetarëve.

Po çfarë ka ndodhur me tregun e këmbimit valutor dhe veçanërisht me euron?

Monedha europiane ka pësuar rënie të vazhdueshme vitet e fundit, të cilat janë përshpejtuar veçanërisht pas vitit 2021. Vetëm në tre vitet e fundit, euro ka humbur më shumë se 23 lekë, ose mbi 20% të vlerës së saj. Ekspertët shpjegojnë se sasia e euros në qarkullim, apo ajo që ndryshe njihet si oferta, është shumë më e lartë sesa kërkesa, ose nevoja për euro. Një prishje ekuilibrash që ka rrëzuar monedhën evropiane.

Gjatë muajve korrik-gusht, që është edhe piku i sezonit turistik, Banka e Shqipërisë ndërhyri shumë herë në tregun e këmbimit për të tërhequr një pjesë të eurove, në përpjekje për të mos lejuar uljen e saj nën kuotën e 100 lekëve, të konsideruar si një kufi psikologjik. Një vijë e kuqe tashmë e shkelur dhe që sinjalizon çdo ditë për rënie të reja të vlerës së euros.

Por nuk janë vetëm burimet zyrtare ato që e kanë bërë të pandalshme tatëpjetën e euros. Kjo edhe pse ka pasur rritje të flukseve valutore nga rrugët zyrtare, si të ardhurat nga turizmi, investimet e huaja dhe remitancat apo ndryshe dërgesat e emigrantëve. Por kanalet informale janë ato që kanë shtuar ndjeshëm eurot në treg, edhe pse sasia e tyre mbetet e matshme. Euro nën kuotën e 99 lekëve është tashmë normaliteti i ri. Kjo do të thotë se agjentët ekonomikë, si bizneset dhe qytetarët, duhet të riorientojnë planet dhe vendimet financiare me një euro të dobët në këto nivele ose edhe më poshtë.

Rënia e shpejtë dhe e fortë e euros ka ndikim të jashtëzakonshëm të ekonominë shqiptare. Kjo pasi euro është monedha e dytë më e përdorur në vend pas lekut. Ose më saktësisht, ekonomia jonë përdor në nivele thuajse të ngjashme dy monedha: atë zyrtare, lekun dhe euron. Euro përdoret sot si monedhë në shumë transaksione të brendshme në sektorë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si sektori financiar, ku një pjesë e konsiderueshme e depozitave dhe kredive janë në këtë valutë; në tregun e pasurive të patundshme në shitjen dhe dhënien me qira të pronave; në turizëm, por edhe tek një pjesë e shërbimeve. Ne blejmë nëpër dyqane me euro, paguajmë në restorante, madhe së fundmi edhe në supermarket.

Një situatë që ka risqe jo të vogla për ekonominë. Pasi një shkallë kaq e lartë e eurozimit e ekspozon ekonominë, qytetarët dhe bizneset ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, siç po ndodh tashmë. Nga ana tjetër, e bën të pamundur shtrirjen e efekteve të vendimeve dhe politikave që ndërmerr Banka e Shqipërisë tek e gjithë ekonomia, duke e kufizuar këtë impakt vetëm tek pjesa e ekonomisë që përdor lekun si monedhë. Por pse euro përdoret kaq shumë në ekonominë shqiptare. Në fakt arsyet janë disa. Tashmë është e njohur dashuria e shqiptarëve për monedhat e huaja. Deri në vitet 2000 ishte lidhja e fortë me dollarin, që u zëvendësua më pas me euron.

Mungesa e besimit në monedhën vendase; diferenca midis normës së interesit të euros dhe lekut; niveli i lartë i remitancave në euro; politikat e gabuara makroekonomike; lidhjet e ngushta me pole të rëndësishme ekonomike të euros, siç mund të jenë bankat që mëmën e kanë një vend të Bashkimit Evropian apo edhe integrimi tregtar, që çon drejt një orientimi të tillë në përdorimin e monedhave. Duke parë nivelin e lartë të përdorimit të euros në ekonomi, Banka e Shqipërisë ndërmori në vitin 2017 një nismë për deuroizimin, që nuk dha rezultatet e pritshme. Kjo nismë është riaktivizuar së fundmi, nisur nga tronditjet e kursit të këmbimit.

Përdorimi në masë i euros në ekonomi ka humbësit dhe përfituesit e tij nga zhvlerësimi i fortë i monedhës europiane. Ata që kanë humbur janë kryesisht eksportuesit, që aktivitetin e kanë në euro dhe shpenzimet në lek; me humbje kanë dalë individët që kanë pagën apo të ardhura të tjera në euro; familjet që marrin para të afërmit emigrant, si dhe ata që kanë depozita në banka në këtë monedhë. Ndërkohë që kanë përfituar ata që kanë kredi në euro, pasi do të paguajnë më pak për këstet mujorë; importuesit që do ti blejnë më lirë mallrat dhe shërbimet, si dhe qeveria, që do të paguajë më pak për borxhin e jashtëm.

Rënia e euros ka goditur kryesisht eksportet shqiptare. Kjo pasi i gjithë aktiviteti i këtij sektori zhvillohet në euro, ndërkohë që të gjitha shpenzimet, nga pagat e deri tek taksat janë në lek. Rënia e euros bën që ky biznes të pësojë humbje të mëdha. Të dhënat tregojnë se për 8 mujorin e këtij viti, eksportet arritën vlerën e 225 miliardë lekëve, me rënie 74.6 miliardë lekë ose 14.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë që rënia ka qenë e ndjeshme veçanërisht pas vitit 2022, kur euro mori edhe tatëpjetën e pandalshme. Eksportet pësuan një rënie vjetore prej më shumë se 40 miliardë lekë, duke sinjalizuar për krizë të fortë të sektorit, që paralelisht po vuan rritjen e kostove të lëndëve të para, mungesën e fuqisë punëtore, si dhe konjukturën aspak të favorshme ndërkombëtare. Ekspertët rekomandojnë marrjen e disa masave, që kursi I këmbimit dhe euro të mos lihet në rënie të lirë. Në kushtet që ndodhet tregu dhe ekonomia, askush nuk mund të bëjë parashikime për kursin e këmbimit. As të thotë se kur do të stopojë rënia e euros, apo në çfarë vlerash do të arrijë ajo. Ajo që dihet tashmë me siguri është se e ashtuquajtura monedhë e fortë nuk është më e fortë dhe se rënia e saj është tashmë normaliteti i ri.