LifeStyle

Çfarë duhet të dini për të shpëtuar një jetë në rast mbytjeje: Udhëzimet e mjekut pediatër

Tragjedia e vogëlushes Viviana Maria Barel, e mbytur nga një copë frut para syve të prindërve – mjeku shpjegon si duhet vepruar në raste të tilla

Tragjedia e vogëlushes Viviana Maria Barel, një vajzë vetëm 2-vjeçare nga Treviso, e cila u mbyt të shtunën mbrëma në shtëpi përpara syve të prindërve pasi kishte gëlltitur një copë frut (duket se ishte qershi), rikthen në vëmendje rreziqet që i kanosen për çdo moment foshnjave dhe fëmijëve më të rritur. Por edhe të rriturit, veçanërisht të moshuarit, nuk janë të përjashtuar nga rreziku.

Thithja aksidentale e një cope ushqimi nuk është një dukuri e rrallë, megjithatë, fatmirësisht, në shumicën e rasteve zgjidhet vetvetiu ose me ndihmën e dikujt që jep disa goditje në shpinë. Manovra të thjeshta, por që duhet të kryhen siç duhet. Si dhe kur duhet të ndërhyjmë? E shpjegon Dr. Pierantonio Santuz, shef i Urgjencës Pediatrike në spitalin Borgo Trento të Universitetit të Veronës.

Doktor, çfarë duhet bërë kur përballesh me dikë që ka gëlltitur diçka që i bllokon rrugët e frymëmarrjes?
– Së pari, për sa kohë që personi apo fëmija arrin ende të kollitet dhe të marrë frymë, domethënë për sa kohë që kollitja është e dukshme, aktive dhe e vlefshme, nuk duhet ndërhyrë, sepse mund të përkeqësohet situata. Sigurisht, është e vështirë të kuptohet momenti i saktë kur duhet vepruar, por kjo gjykohet nga shenjat që jep personi. Nëse shihet që nuk arrin më të kollitet, të flasë, të marrë frymë, vendos duart në fyt dhe ngjyra e fytyrës ndryshon, errësohet – atëherë nuk duhet humbur kohë. Duhet ndërhyrë menjëherë, pasi është çështje sekondash.

Si ndërhyhet?
– Zbatohen manovrat klasike të zhbllokimit, të cilat janë të ndryshme për foshnjat deri në 1-2 vjeç dhe për fëmijët më të mëdhenj që trajtohen si të rritur. Foshnjat vendosen me bark poshtë, të mbështetura mbi kofshën e personit që jep ndihmën, mbahet nofulla me njërën dorë dhe me tjetrën jepen 5 goditje të forta mes shpatullave – të quajtura “goditje dorsale” – që veprojnë si kollë artificiale. Nëse nuk nxirret asgjë dhe fëmija ende nuk merr frymë, atëherë kthehet me shpinë dhe i jepen 5 shtypje të shpejta në mes të kraharorit, çdo 2 sekonda – njësoj si në masazhin kardiak. Këto veprime përsëriten alternativisht derisa situata të zgjidhet.

Po nëse nuk arrin të zhbllokohet?
– Fëmija apo personi humbet ndjenjat dhe më pas ndodh arrest kardiak, kështu që nevojitet reanimacion kardiopulmonar. Gjatë kësaj kohe, duhet që dikush të ketë njoftuar urgjencën (118), e cila do të udhëzojë personin që ndihmon deri në mbërritjen e ndihmës mjekësore.

Cila është teknika për fëmijët mbi 2 vjeç dhe për të rriturit?
– Përdoren të njëjtat teknika, por personi është në këmbë: përkulet pak përpara dhe i jepen goditje në shpinë. Nëse kjo nuk funksionon, zbatohet manovra Heimlich – duart vendosen grusht njëra mbi tjetrën mes kërthizës dhe sternumit dhe jepen 5 shtypje abdominale. Edhe këtu, alternohen cikle me nga 5 goditje.

Sa raste të fëmijëve me bllokim të rrugëve të frymëmarrjes trajtoni në urgjencë?
– Raste të mbytjes në zhvillim nuk arrijnë në urgjencë, sepse, për fat të keq, nuk ka kohë të mjaftueshme. Tek ne vijnë fëmijë që kanë thithur objekte të huaja dhe që duhet të nxirren me bronkoskopi. Janë urgjenca të “thjeshta”, pa pasoja fatale. Regjistrojmë rreth 5 deri në 10 raste në vit, nga rreth 20,000 fëmijë që trajtojmë çdo vit në urgjencën pediatrike. Rastet me vdekje janë shumë të rralla. Por, për fat të keq, ndodhin ende. Mënyra më e mirë për parandalim është edukimi – të mësohen manovrat e shpëtimit në shkolla. Ne i zhvillojmë këto kurse në shkollat fillore, ku fëmijët i shohin si lojë, në shkollat e mesme ku fillojnë të kuptojnë, dhe në gjimnaze, ku djemtë dhe vajzat dalin duke ditur si të kryejnë si zhbllokimin ashtu edhe reanimacionin kardiopulmonar. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Cilat janë gjërat më të rrezikshme që fëmijët mund të gëlltisin?
– Nga mosha 1 deri në 3 vjeç duhet shumë kujdes me çfarë u jepet fëmijëve. Më të zakonshmet që bllokojnë rrugët e frymëmarrjes janë kikirikët dhe frutat e thata, si dhe ushqimi i fortë. Fëmijët fusin gjithçka në gojë – nga dheu, gurët, tapët e stilolapsave (shumë të zakonshme), deri te copëza të vogla lodrash, të cilat nuk duhet të mungojnë në asnjë rast nga shenja CE (Certifikimi Evropian i Sigurisë).

Të Ngjashme