Shëndetësi

Çfarë është ‘kutia e zezë’ tek ilaçet dhe si i mbron pacientët?

Një kuti e zezë te një ilaç ose produkt shëndetësore tingëllon frikësuese, veçanërisht kur publikohet ose hiqet papritur nga paketimi.

Kjo ndodhi me 10 nëntor 2025, kur Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) njoftoi heqjen e këtij paralajmërimi nga terapia hormonale për menopauzën. Por çfarë përfaqëson realisht ky paralajmërim dhe pse është i rëndësishëm?

“Kutia e zezë” është njoftimi më i fortë i sigurisë që FDA-ja vendos për një ilaç. Ajo shërben për të paralajmëruar mjekët dhe farmacistët se një medikament mund të ketë rreziqe serioze për shëndetin, përfshirë rrezikun për lëndime të rënda apo vdekje. Këta profesionistë janë të detyruar t’ua komunikojnë këto rreziqe edhe pacientëve.

Këto paralajmërime përfshihen në fletëudhëzimin zyrtar të ilaçit, i cili është dokumenti zyrtar që shoqëron çdo medikament me recetë. Ky dokument u jep profesionistëve të shëndetit informacion mbi përdorimin e saktë, dozimin, provat klinike dhe të gjitha rreziqet e mundshme. Kërkesa për këto udhëzime rrjedh nga një ligj i miratuar në vitin 1966 për mbrojtjen e konsumatorit.

FDA-ja ndan rreziqet në “masa paraprake” dhe “paralajmërime”. Masat paraprake lidhen me dëmtime të lehta ose të moderuara, ndërsa paralajmërimet tregojnë rreziqe serioze. Më të rëndat prej tyre janë paralajmërimet e “kutisë së zezë”, të cilat vendosen brenda një kutie të zezë për të tërhequr vëmendjen maksimale. Sipas një studimi të vitit 2022, mbi 400 medikamente kanë aktualisht një paralajmërim të tillë.

Shembuj tipikë janë disa antidepresivë, të cilët rrisin rrezikun e vetëvrasjes në javët e para të përdorimit, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë. Një tjetër është klozapina, e përdorur për skizofreninë, e cila mund të ndalojë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe të shtojë rrezikun për infeksione vdekjeprurëse. Terapia hormonale për menopauzën mori paralajmërim në vitin 2003 për shkak të rrezikut për kancer gjiri, por të dhënat e reja treguan se për gratë 50–60 vjeçe është e sigurt, ndaj paralajmërimi u hoq në vitin 2025.

Këto paralajmërime ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e mjekëve për përshkrimin e barnave dhe luajnë gjithashtu rol ligjor në rastet e neglizhencës mjekësore. Ato nuk janë të përhershme: me daljen e të dhënave të reja, FDA-ja mund t’i shtojë, ndryshojë ose t’i heqë ato, në varësi të nivelit real të rrezikut. /The Conversation/ 

Të Ngjashme