Një studim i ri sugjeron se një ilaç i përdorur zakonisht për trajtimin e përdhesit mund të ulë gjithashtu rrezikun e infarktit dhe goditjes në tru, kur merret në dozën e duhur. Studiues nga Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Italia analizuan të dhëna shëndetësore nga mbi 109 mijë të rritur të diagnostikuar me përdhesë, të ndjekur për deri në pesë vjet.
Studimi tregoi se pacientët që merrnin ilaçe për uljen e acidit urik, kryesisht allopurinol, kishin më pak infarkte, goditje në tru dhe vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare, si edhe më pak shpërthime të përdhesit. Përfitimi më i madh u pa tek ata që arritën nivele të acidit urik nën 300 mikromol/L.
Sipas profesor Abhishek Abhishek nga Universiteti i Nottingham-it, përdhesi është një formë artriti që shkaktohet nga nivelet e larta të acidit urik në gjak. Me kalimin e kohës, ky acid formon kristale shumë të vogla brenda nyjeve, të cilat shkaktojnë dhimbje të forta, ënjtje dhe skuqje. Sulmet zgjasin zakonisht nga një javë deri në 10 ditë dhe kanë tendencë të përsëriten.
Dikur mendohej se përdhesi shkaktohej vetëm nga dieta e pasur me mish të kuq dhe alkooli, por sot dihet se faktori kryesor është gjenetik. Tek disa persona, veshkat dhe zorra nuk e largojnë në mënyrë efikase acidin urik nga trupi, duke çuar në grumbullimin e tij.
Sulmet e përdhesit mund të nxiten nga dehidratimi, dëmtimet e nyjeve, sëmundjet, përdorimi i disa barnave, apo konsumimi i madh i alkoolit në një kohë të shkurtër. Sëmundja është më e zakonshme pas moshës 40 vjeç dhe bëhet gjithnjë e më e shpeshtë me rritjen e moshës.
Shenja e parë zakonisht është një sulm i papritur artriti, më shpesh në gishtin e madh të këmbës, por mund të prekë edhe kyçin e këmbës, gjurin, shputën apo kyçin e dorës. Në disa raste, kristalet formojnë gunga të forta nën lëkurë, të quajtura tofi, zakonisht në bërryla ose maja gishtash.
Pa trajtim, përdhesi mund të përhapet në disa nyje njëkohësisht, të zgjasë më shumë dhe të shkaktojë dëmtime të përhershme të nyjeve. Diagnoza bëhet kryesisht përmes analizave të gjakut dhe simptomave tipike, ndërsa trajtimi përfshin qetësues dhimbjeje, ilaçe kundër inflamacionit dhe terapi afatgjata për uljen e acidit urik.
