Orangutangët nuk i numërojnë kaloritë dhe as nuk i ndjekin makronutrientët, por megjithatë qëndrojnë elegantë dhe të shëndetshëm. Duke jetuar në pyjet e Borneos dhe Sumatrës, ata shmangin obezitetin, diabetin dhe sëmundjet metabolike që prekin miliona njerëz sot. Sekreti i tyre qëndron në biologji, sjellje të zgjuar dhe përshtatje me ritmet natyrore.
Për 15 vjet, studiuesit ndoqën orangutangët e egër në Kalimantanin Qendror të Indonezisë, duke vëzhguar dietën dhe mënyrën se si shpenzonin energjinë. U zbulua se orangutangët përshtaten natyrshëm me furnizimin ushqimor. Kur frutat janë të bollshme, ata hanë më shumë. Kur mungojnë, ngadalësojnë ritmin, pushojnë më shumë, udhëtojnë më pak dhe ruajnë energjinë. Ky fleksibilitet metabolik u lejon të kalojnë mes karbohidrateve, yndyrnave dhe proteinave, sipas asaj që u ofron pylli.
Proteina është gjithmonë pjesë e dietës së tyre. Frutat japin energji, por në kohë mungesash, orangutangët kalojnë te gjethet, lëvoret dhe farat, të cilat kanë më pak sheqer por më shumë proteina. Edhe kur frutat janë të bollshme, ata nuk e teprojnë. Ky ekuilibër i mban të fortë dhe u shmang mangësitë ushqyese që janë të zakonshme te dietat njerëzore të pasura me sheqer dhe yndyrë. Në periudha mungese, ata djegin dhjamin dhe muskujt e ruajtur, ngjashëm me agjërimin me ndërprerje që mund të ulë stresin oksidativ dhe të ngadalësojë plakjen.
Sipas studiueses kryesore Erin Vogel nga Universiteti Rutgers, këto gjetje tregojnë rëndësinë e dietave natyrore. Njerëzit dhe orangutangët kanë një paraardhës të përbashkët, kështu që edhe trupat tanë mund të përshtatin metabolizmin. Por varësia nga ushqimet shumë të përpunuara e dëmton këtë aftësi, duke çuar në sëmundje si diabeti.
Një studim tjetër tregoi se një pjesë e madhe e proteinave të tyre vjen nga një bimë e vetme, bowringia callicarpa, duke provuar se strategjia bimore mbështet mbijetesën. Ndryshe nga njerëzit, që varen shumë nga produktet shtazore ose suplementet, orangutangët marrin gjithçka nga pylli.
Mësimi? Fleksibilitet, moderim dhe ekuilibër. Hani atë që ndihmon shëndetin, lëvizni, pushoni kur është nevoja dhe mos e mbingarkoni trupin me energji të tepërt. / Earth – Syri.net