Shëndetësi

Çfarë ndodh kur ndërpriten Ozempic dhe Mounjaro, dilema e madhe e barnave GLP-1

Barnat e reja për humbje peshe, si Ozempic, Mounjaro dhe Wegovy, janë shndërruar në një fenomen global.

Të promovuara gjithnjë e më shpesh si “zgjidhje të shpejta” për disa kilogramë më pak, ato po përdoren nga miliona njerëz. Por pyetja thelbësore mbetet se çfarë ndodh kur këto barna ndërpriten?

Sipas një analize të gjerë të publikuar në British Medical Journal, shumica e pacientëve rikthejnë peshën e humbur brenda rreth një viti e gjysmë pas ndërprerjes së terapisë. Paralelisht, përmirësimet në sheqerin në gjak, tensionin arterial dhe kolesterolin zhduken gradualisht.

Një realitet që shpesh nuk komunikohet

Rreth 18% e të rriturve në SHBA kanë përdorur një bar të klasës GLP-1 për humbje peshe ose për trajtimin e sëmundjeve kronike, si diabeti i tipit 2. Megjithatë, pothuajse gjysma e tyre e ndërpresin terapinë brenda vitit të parë, shpesh pa e ditur se çfarë i pret më pas.

Siç theksojnë mjekët dhe studiuesit e obezitetit, këto barna nuk janë krijuar si mjete “lifestyle”, por si trajtime afatgjata për sëmundje kronike. Ky dallim, sipas tyre, është vendimtar.

Rikthimi i peshës: më i shpejtë se sa mendohej

Analiza e BMJ, që përfshiu 37 studime, tregoi se pacientët që përdorën GLP-1 humbën mesatarisht 14,5 kilogramë, por brenda vitit të parë pas ndërprerjes rifituan rreth 9,5 kilogramë.

Madje, ritmi i shtimit të peshës ishte katër herë më i shpejtë krahasuar me personat që kishin humbur peshë vetëm përmes dietës dhe aktivitetit fizik.

“Rikthimi i peshës shkon pothuajse paralel me përkeqësimin e treguesve metabolikë”, shpjegon Sam West, fiziolog dhe studiues në Universitetin e Oksfordit, autor kryesor i studimit.

Ekspertët theksojnë se ndërprerja e GLP-1 nuk sjell vetëm ngadalësim të metabolizmit, por edhe një rritje të fortë të oreksit.

Sipas Kevin Hall, ish-studiues i lartë në Institutin Kombëtar të Shëndetit në SHBA, barnat ndërhyjnë përkohësisht në mekanizmat që kontrollojnë urinë. Kur ato ndërpriten, trupi “reagon”, duke shtuar ndjeshëm kërkesën për ushqim.

Kjo përvojë përshkruhet edhe nga dr. Katherine H. Saunders (Weill Cornell Medicine), e cila flet për një rikthim “agresiv” të ndjesisë së urisë dhe të obsesionit ndaj ushqimit.

Pse trupi “kundërshton” humbjen e peshës

Sipas dr. Gitanjali Srivastava, drejtuese e Njësisë së Mjekësisë së Obezitetit në Universitetin Vanderbilt, ky fenomen lidhet me të ashtuquajturën “përshtatje metabolike”, një mekanizëm mbijetese i zhvilluar ndër shekuj, që e shtyn trupin të ruajë energji dhe të rikthejë peshën e humbur.

Mjekët janë të një mendimi, se rezultatet më të qëndrueshme arrihen kur terapia farmakologjike kombinohet me ndryshime të thella në stilin e jetesës, ushqyerje e kontrolluar, aktivitet fizik dhe mbështetje afatgjatë.

Një tjetër shqetësim është edhe “cikli i peshës” (humbje–shtim i përsëritur), i cili, sipas specialistëve, çon në humbje muskulore dhe rritje të masës dhjamore.

Pavarësisht të dhënave shqetësuese, mjekët nuk e përjashtojnë përdorimin e GLP-1 edhe për periudha të kufizuara, me kusht që të ekzistojë një plan për “ditën pas”.

“Nuk do t’i thosha kurrë dikujt të mos e nisë terapinë”, thekson dr. Robert Kushner, profesor emeritus në Universitetin Northwestern.

“Por që në fillim duhet të mendojmë se çfarë do të ndodhë kur ajo të ndalet.”

Kështu, barnat GLP-1 nuk janë një zgjidhje magjike. Ato mund të jenë mjete të fuqishme mjekësore, por vetëm kur përdoren me pritshmëri realiste, mbikëqyrje mjekësore dhe strategji afatgjatë.

Të Ngjashme