Shëndetësi

Çfarë ndodh në trupin tuaj nëse pini birrë pas stërvitjes

Bodybilderi kampion i atëhershëm, në dokumentar, Arnold Schwarzenegger, më 1977, i pyetur nëse pi qumësht, shqiptoi fjalinë tashmë të famshme: “Qumështi është për fëmijët. Kur të rritesh, duhet të pish birrë”

 

Sot gjërat janë pak më ndryshe.

Shumica e trajnerëve dhe frekuentuesve në qendrat e fitnesit dhe palestrat preferojnë më mirë të pinë një litër qumësht sesa një birrë pas stërvitjes. Megjithatë, disa amatorë, por edhe sportistë të mirë, nuk kanë asgjë kundër një gote pije alkoolike të gazuar pas stërvitjes.

Pra, a është mirë të pini birrë pas stërvitjes? Çfarë ndodh me trupin tonë dhe kur abuzohet me birrën?

Ana e mirë
Një birrë pas stërvitjes mund të jetë edhe më e mirë se uji, thotë faqja e internetit menshealth.com.

Ajo i referohet një studimi të vitit 2021 të botuar në Journal International of Sports Nutrition and Exercise Metabolism. Sipas këtij hulumtimi, birra me përmbajtje të ulët të alkoolit (nën 4%) është treguar të jetë një hidratues i mirë. Shtimi i natriumit në birrën joalkoolike rrit më tej aftësinë e saj për t’u rihidratuar. Por problemi është se ka shije më të mirë në krahasim me ujin. Dhe për shkak të kësaj, disa njerëz tundohen të pinë “një birrë tjetër”.

Birra gjithashtu përmban polifenole, antioksidantë dhe komponime bimore antivirale që mund të mbajnë sistemin tuaj imunitar të fortë dhe të zvogëlojnë shanset e infeksioneve të frymëmarrjes që mund të ndodhin gjatë stërvitjeve të vështira.

Ana negative
Disa studime të kryera si te kafshët ashtu edhe te njerëzit kanë treguar se konsumimi i tepërt i birrës pas stërvitjes, përveç mamurllëkut të nesërmen, ka një efekt negativ në rigjenerimin e muskujve.

Gjatë stërvitjes intensive, fibrat muskulore grisen dhe rigjenerohen në ditët në vijim me ushqim dhe pushim. Megjithatë, konsumimi i tepërt i birrës (më shumë se 7 birra të vogla) pas stërvitjes është treguar se redukton ndjeshëm sintezën e proteinave të nevojshme për rikuperimin e muskujve. Më kritike janë katër orët e para pas stërvitjes (e ashtuquajtura periudha anabolike), kur ndikimi i alkoolit është më i keqi, sipas hulumtimit të vitit 2014.

Hulumtimi i përmendur më parë nga viti 2021 tregoi gjithashtu se konsumimi i më shumë se dy birrave të vogla “të lehta” pas stërvitjes anulon efektin e rihidrimit të përmirësuar dhe madje çon në të kundërtën, rritjen e dehidrimit. Birra është një diuretik, domethënë rrit nxjerrjen e ujit nga trupi.

Çfarë del nga e gjithë kjo? Birra me sa më pak alkool pas stërvitjes nuk do të dëmtojë, por do të ngadalësojë rikuperimin e muskujve, do t’ju dehidratojë dhe, nëse e teproni, do të shkaktojë mamurllëk të nesërmen.