Nga Lindsey Bever
Pyetja
A është e vërtetë që nuk duhet të pini nga shishet plastike të ujit të lëna në makinë të nxehtë?
Shkenca
Mikroplastikat, grimca plastike më të vogla se 5 milimetra, gjenden në ushqimin, ujin, veshjet, produktet e kujdesit personal, kozmetikë dhe në mjedisin tonë.
Edhe në shishet plastike të ujit.
Sipas studimeve, në rrethana të caktuara, këto shishe, veçanërisht ato njëpërdorimshme pasi nuk janë aq rezistente, mund të lëshojnë grimca plastike, së bashku me kimikate dhe metale, në ujë.
Shishet njëpërdorimshme bëhen nga një plastikë e hollë e njohur si polietilen tereftalati (PET). Megjithëse duket e ngurtë me sy të lirë, plastika në fakt është si një “rrjetë e ngatërruar”, dhe molekulat e bllokuara brenda saj, përfshirë disa kimikate, dalin ngadalë me kohën, shpjegon Bill Carroll, profesor i kimisë në Universitetin e Indianës.
Megjithatë, nxehtësia dhe rrezet ultravjollcë mund ta përshpejtojnë këtë proces, duke degraduar plastikën dhe duke shkaktuar edhe lëshimin e saj. Një studim i vitit 2023 zbuloi se katër lloje plastike të zakonshme, përfshirë polietilenin, të ekspozuara në një dhomë me dritë UV dhe temperaturë prej 37°C, lëshonin mikro dhe nanogrimca. Ndërsa mostrat e kontrollit, të ruajtura në frigorifer të errët me 4°C, pothuajse nuk lëshonin grimca.
Rreziqet për shëndetin nga një rast i vetëm janë ndoshta të ulëta, por “do të isha e kujdesshme për ekspozime të përsëritura ose kronike,” thotë Jaime Ross, profesoreshë e neuroshkencës në Universitetin e Rhode Island, laboratori i së cilës ka studiuar lidhjen mes ekspozimit ndaj nano-mikroplastikave dhe kujtesës tek minjtë.
Gjithashtu, pasi të filloni të pini, këshillohet të mos lini pjesën tjetër të lëngut në një ambient të ngrohtë, “pasi nxehtësia mund të nxisë zhvillimin e patogjenëve,” paralajmëron ajo.
Mikroplastikat, dhe sidomos nanoplastikat (më të vogla se 1 mikrometër), mund të depërtojnë në inde biologjike të mëlçisë, veshkave, zorrës së trashë, placentës, mushkërive, trurit dhe zemrës, madje edhe në qelizat e gjakut dhe qumështin e gjirit, shpjegon Nicole Deziel, profesoreshë e shkencave të shëndetit mjedisor në Shkollën e Shëndetit Publik të Yale.
Plastikat përmbajnë gjithashtu kimikate si fenole dhe ftalate, të lidhura me probleme shëndetësore si komplikacione gjatë shtatzënisë dhe shqetësime neurozhvillimore, shton Deziel, e cila është gjithashtu bashkëdrejtuese e Qendrës Yale për Epidemiologji Perinatale, Pediatrike dhe Mjedisore.
Por pasojat e mundshme shëndetësore dhe rreziqet individuale nuk janë ende të kuptuara plotësisht, pasi studimet për efektet e mikro dhe nanoplastikave kanë filluar vetëm vitet e fundit, dhe kërkohet më shumë hulumtim, theksojnë ekspertët.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) rregullon sigurinë e ujit të ambalazhuar dhe paketimit. Shoqata Ndërkombëtare e Ujit të Ambalazhuar pretendon se “përfundimet se uji i pijshëm është një rrugë kryesore për marrjen me gojë të mikro dhe nanoplastikave nuk janë të justifikuara bazuar në shkencën aktuale. Për më tepër, nuk ka metoda të certifikuara testimi dhe as konsensus shkencor për ndikimet e mundshme shëndetësore të tyre.”
Megjithatë, disa ekspertë thonë se, ndonëse rreziqet e mundshme justifikojnë marrjen e masave parandaluese si kalimi te alternativa jo-plastike, kjo nuk duhet t’i pengojë njerëzit të pinë ujë nga një shishe plastike e lënë në makinë të nxehtë, kur është e domosdoshme.
“Rreziqet nga dehidratimi janë shumë më të rënda sesa rreziqet nga ekspozimi ndaj mikroplastikave,” thotë Christopher Hine, studiues në Klinikën Cleveland.
Përfundimi
Është më mirë të shmangni pirjen e ujit nga shishet njëpërdorimshme plastike të lëna në makinë të nxehtë. Por kërkimet e deritanishme tek individë të shëndetshëm tregojnë se ekspozime të rralla nuk ka gjasa të shkaktojnë dëm të rëndësishëm. / Washington Post – Syri.net
