Rritja e temperaturave dhe kushtet e papërshtatshme gjatë natës po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e gjumit dhe shëndetin e njerëzve. Ekspertët paralajmërojnë se nxehtësia e tepërt është një nga faktorët më të nënvlerësuar që prish pushimin e natës.
Sipas studiuesit Joseph Dzierzewski nga Fondacioni Kombëtar i Gjumit, temperatura e trupit duhet të bjerë natyrshëm me rreth 1 deri në 2 gradë për të mundësuar gjumë të thellë. Çdo ndërprerje e këtij procesi sjell gjumë të fragmentuar dhe më pak rigjenerues.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e krijimit të një “mikroklime” të rehatshme gjatë gjumit, duke shmangur grumbullimin e nxehtësisë mes trupit, rrobave dhe shtratit. Për disa persona, kjo mund të nënkuptojë të flenë me më pak rroba apo me materiale të lehta që lejojnë ajrosjen.
Temperatura ideale e dhomës rekomandohet të jetë mes 15 dhe 19 gradë Celsius, ndërsa edhe lagështia në ajër luan rol të rëndësishëm, pasi nivelet e larta e bëjnë më të vështirë ftohjen e trupit.
Përveç gjumit, nxehtësia ndikon edhe në shëndetin riprodhues. Sipas mjekëve, temperatura e lartë mund të ndikojë negativisht në prodhimin e spermës, pasi trupi ka nevojë për kushte më të freskëta për funksionim optimal.
Ekspertët theksojnë se një gjumë më i mirë ndikon edhe në balancën hormonale, energjinë dhe mirëqenien e përgjithshme. Për këtë arsye, ruajtja e një ambienti të freskët gjatë natës konsiderohet thelbësore për shëndetin./CNN
