LifeStyle

Çfarë po ju kushton në të vërtetë punëdhënësve pakënaqësia e punonjësve?

Pakënaqësia në vendin e punës po përhapet në gjithë kontinentin evropian. Vetëm 59% e fuqisë punëtore në Evropë thonë se janë të kënaqur me punën e tyre, sipas raportit të Studimit të Fuqisë Punëtore Evropiane për vitin 2025.

Shifra tregon se mbi 40% e të punësuarve ndihen të zhgënjyer ose të distancuar nga ambienti i tyre profesional — një sinjal alarmi për kompanitë që luftojnë për të mbajtur punonjësit dhe për të ruajtur produktivitetin.

Pavarësisht mesatares kontinentale, dallimet midis vendeve janë të mëdha: Danimarka (75%), Norvegjia (73%) dhe Suedia (68%) kryesojnë listën me nivelet më të larta të kënaqësisë, ndërsa Italia (43%), Greqia (44%) dhe Polonia (47%) qëndrojnë në fundin e saj.

Studimi vëren një lidhje të drejtpërdrejtë midis kënaqësisë në punë dhe produktivitetit ekonomik, të matur me PBB-në për orë pune.

Ekspertët theksojnë se mungesa e kënaqësisë së stafit nuk është thjesht problem etik apo social, por përkthehet në humbje konkrete për biznesin.

“Stafi i pakënaqur krijon përvoja të dobëta për klientët, dhe këta të fundit janë gjithnjë e më të prirur të largohen nëse nuk marrin shërbimin që presin”, deklaroi për Euronews Business Laurent Millan, menaxher në NTT për përvojën e klientit dhe punonjësit.

Sipas Millan, largimi i shpeshtë i punonjësve shkakton jo vetëm kosto të larta për rekrutime të reja, por edhe rënie në efikasitetin e kompanive, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat dhe besnikërinë e klientëve.

Ai thekson se mjete moderne të punës, si platformat fleksibile, teknologjitë e avancuara dhe mundësitë për punë hibride, janë çelësi për të rritur kënaqësinë dhe mbajtjen e stafit.

Gjysma e punonjësve që punojnë në mënyrë hibride shprehen se janë të lumtur në punën aktuale, përkundër vetëm 44% të punonjësve fizikë dhe 37% të atyre që punojnë totalisht në distancë.

Në këtë kuadër, Millan e sheh inteligjencën artificiale agjentike si një nga zgjidhjet më premtuese për të përmirësuar përvojën në punë dhe në shërbimin ndaj klientit.

“IA agjentike nuk është thjesht një vegël automatike.

Ajo duhet të sjellë arsyetim, kontekst dhe fleksibilitet — elemente thelbësore për të përmbushur kërkesat gjithnjë në ndryshim të bizneseve moderne”, theksoi ai.

Në një kohë kur lëvizshmëria e punonjësve është në rritje dhe besnikëria e tyre po zbehet, investimi në teknologji të zgjuara dhe përvojë punonjësi të përmirësuar mund të jetë arma kryesore për të garantuar suksesin afatgjatë të çdo organizate në Evropë.

Të Ngjashme