Kujtoni vazhdimisht se “kënaqësia është premtimi që lidh”. Ajo lidh njeriun me realitetin. Mungesa e kënaqësisë ndërton te fëmija mekanizmat e dhimbjes dhe, për pasojë, ndërton urrejtjen për jetën dhe frikën prej saj.
Kënaqësia është e lidhur ngushtësisht me procesin e rritjes. Rritemi duke e përfshirë brenda nesh ambientin, si fizik ashtu dhe emocional. E brendësojmë, e pasurojmë dhe zhvillojmë botën tonë të brendshme, që më pas të shohim mjedisin. Kështu e zbulojmë atë në një nivel të ri që e mundëson vetëm rritja nëpërmjet kënaqësisë.
Fëmija transformon përfytyrimin e tij të botës së jashtme, duke mbajtur të qëndrueshme realitetin e përvojës së brëndshme të tij. Kjo do të thotë se përvojat e depozituara përgjatë fëmijërisë, diktojnë përfytyrimin tonë për botën e jashtme. Pra, është stabiliteti i brendshëm që mundëson procesin e zhvillimit.
Ky konkluzion përforcon edhe më shumë rëndësinë e përjetimit të kënaqësisë për shëndetin fizik dhe psikoemocional të individit. Lira Gjika (marrë nga libri “Fëmijëria”)