Shëndetësi

Cilat pemë kanë pak sheqer e cilat kanë shumë

Me siguri nuk e keni idenë për atë se sa sheqer secila pemë ka. Në esencë, nuk duhet të shmangni as pemën e cila përmban mjaft sheqer, mirëpo duhet të keni një ide për atë se sa sheqer keni futur në organizëm.

Mos u lodhni shumë duke zgjedhur pemët të cilat kanë pak sheqer, sepse sheqeri i pemëve nuk është i njëjtë me atë industrial.

Ky sheqer natyral i cili gjendet në pemë, vjen bashkë me fibrat ushqyese, nutrientët, antioksidantët dhe me materiet e tjera të mira. Megjithatë, duhet të kujdeseni se sa sheqer fusni në organizëm.

Secili sheqer, madje edhe ai natyral, ndikon në nivelin e insulinës dhe potencialisht çon në shtimin e peshës trupore dhe në diabet, nëse nuk kontrollohet.

Meqenëse pemët nuk e kanë deklaratën e përmbajtjes, ky është rasti të mësoni se cilat pemët kanë mjaft sheqer dhe cilat pak sheqer, transmeton Telegrafi.

Pak sheqer: avokadoja
Në një avokado të madhësisë mesatare gjendet vetëm një gram sheqer. Me siguri avokadoja nuk është pema e parë e cila na bie në mend, mirëpo duke pasur parasysh që përmban aq pak sheqer dhe mjaft yndyra të shëndetshme, duhet ta hani, së paku herë pas here. Natyrisht, nuk duhet ta teproni…

Shumë sheqer: fiku
Në një kokërr mesatare fiku gjenden rreth 10 gramë sheqer! Prandaj fiku është aq i lëngshëm dhe i ëmbël. Përmban mjaft sheqer dhe kalori, pothuajse sa edhe çokollata! Në të vërtetë, për dallim nga çokollata, fiku përmban edhe mjaft fibra ushqyese dhe kalium…

Pak sheqer: belushi
Në një filxhan belush ka rreth katër gramë sheqer, prandaj lirisht hani këtë pemë. Dhe është mirë t’i hani të papjekura, jo në lëng apo në ndonjë variant të ngjashëm i cili ka sheqer të shtuar.

Mjaft sheqer: mangoja
Në një filxhan mango gjenden madje 23 gramë sheqer! Edhe pse mangoja përmban kaq shumë sheqer, duhet ngrënë së paku herë pas here, sepse në të gjendet një e treta e dozës së nevojshme të vitaminës A, e cila është e rëndësishme për shëndetin e syve.

Pak sheqer: mjedrat
Në një filxhan me këtë pemë të sezonit gjenden rreth pesë gramë sheqer. “Bonus” është për shkak që mjedrat kanë më shumë fibra ushqyese se sa pemët e tjera me kokrra, andaj më gjatë do t’ju mbajnë të ngopur, por do të mbajnë edhe ekuilibrin e nivelit të sheqerit në gjak.