Sot shënohen 27 vjet nga themelimi i Partisë Demokratike të Kosovës. Me rastin e këtij përvjetori, deputetja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka përcjellë urimet e saj, duke kujtuar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, të cilët po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka kujtuar rrugëtimin e saj me ta, duke theksuar se i ka njohur gjatë luftës në male dhe se me ta ka punuar e mësuar që nga dita e parë e themelimit të partisë.
Ajo ka theksuar se lidhjet e krijuara gjatë kohës së luftës dhe sakrificave për liri kanë një rëndësi të veçantë.
“Urime çlirimtarë! Disa lidhje farkëtohen në gjak e në vështirësi, aty ku jeta dhe vdekja ndajnë të njëjtin shteg dhe besimi te njëri-tjetri është gjithçka që ke. PDK-ja lindi para se të merrte emër: në mal, jo në zyrë; në vetëmohim, jo në privilegje. Në sakrificën për liri”, ka shkruar Çitaku.
Deputetja e PDK-së ka vlerësuar se Thaçi, Veseli dhe Krasniqi kanë bartur mbi supe përgjegjësinë për vendime që, sipas saj, kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Kjo trashëgimi është krenaria jonë dhe përgjegjësia që na udhëheq përpara”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka zbuluar gjithashtu se data e themelimit të PDK-së përkon edhe me ditëlindjen e saj, duke shprehur mirënjohje për njerëzit që, sipas saj, i kanë dhënë kuptim përkatësisë së saj politike dhe kombëtare.
“Festa do të jetë e plotë kur t’ju kemi të lirë mes nesh, për të vazhduar së bashku rrugën që nisëm”, ka shkruar ajo, duke iu referuar tre ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në fund, Çitaku ka uruar përvjetorin e PDK-së, aktivistët dhe mbështetësit e saj, duke theksuar se partia mban gjurmët e figurave që kanë kontribuar në rrugëtimin e saj, ndërsa përgjegjësia për të ardhmen u takon brezave të sotëm./teve1.info/
