Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka quajtur u.d. të Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiun, dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) shkelës serikë të Kushtetutës së Kosovës.
Ky deklarim i Çitakut erdhi pas pyetjes që iu bë lidhur me një deklarim të Haxhiut, e cila kishte thënë se, nëse konsiderojnë se ka pasur shkelje kushtetuese, le t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Nga Lëvzja Vetëvendosje e as nga deputetja Haxhiu, nuk pranojmë leksione politike, as leksione morale. Ata janë shkelës serikë të Kushtetutës së Kosovës dhe nuk brengosen fare a e shkelin Kushtetutën a jo. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përkatësisht aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, është i qartë, i kristaltë, i zi në të bardhë, dhe aty u kërkohet të zgjedhurve të popullit, deputetëve të zgjedhur, që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, jo ta fillojnë seancën, por ta përmbyllin procesin e konstituimit”, tha Çitaku.
Ndërkaq, paraprakisht, në konferencë me gazetarë, ajo u deklarua se janë bërë 555 ditë që nga foltorja flasin vetëm për poste e pozita të pushtetarëve, pa pasur mundësi të merren me hallet e qytetarëve.
“555 ditë nga kjo sallë, nga kjo foltore, ne flasim për pozita e poste të pushtetarëve. E na pamundësohet që të flasim për brengat dhe hallet e qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione dhe vendi është këtu, në këtë sallë. I ftojmë sërish deputetin Kurti, deputeten Haxhiu dhe të gjithë deputetët e tjerë që po e mbajnë peng, të vijnë në sallë, ta konstituojnë Kuvendin dhe të ecim tutje”, u shpreh Çitaku.
Paraprakisht, deputetët e PDK-së dhe ata të Aleancës ishin mbledhur në sallën e Kuvendit.
