Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nesër do t’i drejtohet në orën 18:00 popullit serb, ku sipas mediave pranë qeverisë së tij, do flasë për një ofensivë ndaj Kosovës.
Sipas Danas.rs, në tavolinën e Vuçiç është edhe opsioni i çlirimit të disa pjesëve të territorit të Republikës së Kosovës si cilësohen si të “okupuara”.
Që prej vitit 1999 në Serbi thuhet se Kosova “është e okupuar nga NATO”.
Presidenti i Serbisë tha të martën se brenda 72 orëve do t’i prezantojë publikut kërkesat dhe hapat e mëtejshëm të Serbisë pas një sërë sulmesh brutale ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës dhe Metohisë.
Siç shkruajnë tabloidët në Beograd, e fundit në serinë e ngjarjeve të pakëndshme dhe pas bllokadës 14 ditore të institucioneve serbe, ishte rrahja, keqtrajtimi dhe arrestimi i katër të rinjve serbë që festonin ditëlindjen.
Ju rikujtojmë se vetëm 24 orë në parë Vuçiç, ka kërcënuar Kosovën duke deklaruar se do të dalë me “masa serioze” në 72 orët e ardhshme.
Deklarata e tij u bë pas takimit që ka pasur të martën me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Vuçiç u shpreh se do t’i adresohet popullit serb për kërkesat e Serbisë, siç tha ai, pas “sulmeve brutale mbi popullatën serbe, në veri të Kosovës”.
“Sot patëm biseda të ndara dyorëshe për ‘Kosovën e Metohinë’, fillimisht me Miroslav Lajçak dhe me ambasadorin amerikan, Christopher Hill dhe në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohemi publikut…Ne do t’ju përgjigjemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Presidenti Vuçiç ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare “se nuk po i përmbush ato që i kërkon Serbia”.
“…Do të kemi shumë takime të rëndësishme sepse duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleatë. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për atë çështje. Është e qartë që Kurti dëshiron shkatërrimin e persekutimin e popullatës serbe”, ka theksuar ai.