Lajme

“Çmenden” çmimet e ushqimeve në Shqipëri, shtrenjtohen 5 herë më shpejt se në BE

Qeveria po kërkon ta frenojë shtrenjtimin e ushqimeve përmes “PriceWatch”, një platformë që do t’u mundësojë konsumatorëve të krahasojnë çmimet në rrjetet e supermarketeve.

Nisma mund të rrisë transparencën, t’i ndihmojë familjet të zgjedhin alternativën më të lirë dhe të ushtrojë presion konkurrues mbi tregtarët, por ajo nuk prek drejtpërdrejt kostot që formojnë çmimin.

Pas çmimit të një produkti ushqimor në vendin tonë qëndron një zinxhir i gjatë faktorësh, që nga prodhimi i pamjaftueshëm vendas, varësia nga importet, TVSH-ja 20%, çmimi i lartë i karburantit, transporti, humbjet gjatë shpërndarjes. Në sezonin turistik, këtij zinxhiri i shtohen trafiku, vonesat në furnizim dhe një kërkesë që bujqësia vendase nuk po arrin ta ndjekë.

Të dhënat tregojnë se problemi nuk mund të shpjegohet vetëm me shtrenjtimin e mallrave jashtë vendit. Në korrik 2026, sipas Eurostat, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% krahasuar me një vit më parë, teksa rritja mesatare në Bashkimin Europian ishte vetëm 0.6%.

Ushqimet u shtrenjtuan në Shqipëri pesë herë më shpejt se mesatarja europiane. Shqipëria kishte rritjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor, përpara Kosovës, ku ushqimet u shtrenjtuan në korrik me 2.7% dhe Malit të Zi, me 2.3%.

Në Serbi, çmimet e ushqimeve ishin 5.6% më të ulëta se një vit më parë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ranë me 0.3%.

Kjo ndodhi në një periudhë kur dy faktorë të jashtëm duhej të ndihmonin në uljen e presionit, forcimi i lekut ndaj euros dhe rënia e çmimit mesatar të ushqimeve të importuara.

Përllogaritjet bazuar në të dhënat e tregtisë së jashtme të INSTAT-it tregojnë se, në shtatë muajt e parë të vitit 2026, çmimi mesatar për kilogram i importeve të grupit “Ushqim, pije dhe duhan” ra me 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithatë, çmimet që paguan konsumatori vijuan të rriteshin.

Kjo mospërputhje tregon se presioni nuk vjen më vetëm nga tregjet ndërkombëtare. Ai po krijohet gjithnjë e më shumë brenda vendit.

Eleni Babameto, e cila zotëron një nga kompanitë më të mëdha të importit dhe shpërndarjes së ushqimeve, “Teuta”, thotë se çmimet e larta në Shqipëri janë pasojë e mungesës së prodhimit vendas, barrës fiskale dhe kostove të transportit.

“Ne nuk kemi prodhim të mjaftueshëm vendas dhe as industri ushqimore të zhvilluar, ndërsa kemi një nga normat më të larta të TVSH-së për ushqimet në Europë”, thotë ajo.

Sipas znj. Babameto, nga ana tjetër, çmimi i lartë i karburanteve prek çdo hallkë, nga fermeri që punon tokën te përpunuesi, importuesi dhe distributori që furnizon pikat e shitjes.

Në këtë situatë, monitorimi mund të ndihmojë për të identifikuar diferencat e pajustifikuara, por nuk mund të zëvendësojë një politikë ushqimore.

Zgjidhja kërkon një paketë të lidhur masash. Alban Zusi, ekspert i çështjeve të bujqësisë që operon në fushën e agroindustrisë, thotë se duhet një analizë për të identifikuar mundësitë për të prodhuar në vend ushqimet që importojmë.

Sipas tij, kjo realizohet duke mbështetur të gjithë zinxhirin, që nga prodhimi deri te përpunimi, siç kanë bërë vendet e rajonit.

Rajoni, nga TVSH-ja e ulët te masat ekstra në treg

Një nga arsyet pse çmimet e ushqimeve në vendin tonë janë shumë të larta është TVSH-ja. Shqipëria taton produktet e shportës në nivelin 20%, ashtu si të gjitha mallrat e luksit ose të tjerat që nuk kanë rëndësi jetike.

Krahasimi me Ballkanin Perëndimor e nxjerr Shqipërinë në pozicion të pafavorshëm. Serbia ka të njëjtën normë standarde, 20%, por ushqimet bazë i taton me 10%, sipas legjislacionit tatimor vendas.

Në Kosovë, norma standarde është 18%, ndërsa drithërat, mielli, buka, makaronat, vaji i gatimit, qumështi, produktet e bulmetit, vezët dhe kripa tatohen me 8%.

Mali i Zi ka normë standarde 21%, por për bukën, miellin, qumështin dhe produktet e bulmetit përdor normën e reduktuar 7%.

Në Maqedoninë e Veriut, norma standarde është 18%. Ushqimet bazë tatohen me 5%, ndërsa disa kategori të tjera ushqimore me 10%. Norma 5% përdoret edhe për ushqimin e kafshëve dhe për një pjesë të materialeve e pajisjeve bujqësore.

Bosnjë-Hercegovina nuk ka normë të reduktuar, por norma e vetme prej 17% është tri pikë përqindje më e ulët se ajo që Shqipëria aplikon mbi ushqimet.

Por, përveç TVSH-së më të ulët, vendet e rajonit kanë marrë masa ekstra për frenimin e rritjes së çmimeve pas pandemisë.

Pas valës së inflacionit që nisi në vitin 2021 dhe u përshpejtua në vitin 2022, me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, vendet e Ballkanit Perëndimor ndërhynë me masa të jashtëzakonshme për të frenuar koston e jetesës. Më vonë, sidomos pas vitit 2024, disa qeveri kaluan drejt kufizimit të marzheve të fitimit, duke synuar të ulnin çmimet pa krijuar mungesa në treg.

Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet që ndërhyri më fort. Gjatë kulmit të krizës, në vitet 2022-2023, qeveria ngriu çmimet e disa produkteve bazë, si buka, qumështi, makaronat dhe vezët.

Në shkurt 2025, masa u ndryshua drejt një modeli më fleksibël, me kufizim të marzhit të fitimit deri në 10% në tregtinë me shumicë dhe pakicë për 73 grupe produktesh ushqimore.

Kosova ndoqi një qasje të ngjashme me çmime tavan për produktet e shportës bazë. Pas rritjes së fortë të çmimeve, qeveria miratoi në parim ligjin për kufizimin e çmimeve për produkte si drithërat, mielli, vaji ushqimor, vezët dhe produktet higjienike.

Paralelisht, u forcuan kontrollet e Inspektoratit të Tregut mbi marzhet e importuesve të mëdhenj dhe marrëveshjet që mund të çonin në abuzime.

Mali i Zi e zhvendosi fokusin kryesisht te kufizimi i marzheve. Pas disa ndërhyrjeve gjatë periudhës 2024-2025, qeveria zgjeroi listën e produkteve me çmime të kufizuara në mbi 70 kategori, përfshirë mishin, bulmetin, vajin, miellin, perimet dhe ushqimet për fëmijë. Marzhi i fitimit u kufizua në 5% për shitësit me shumicë dhe 7% për shitësit me pakicë, ndërsa masat u shtynë deri në fund të marsit 2026.

Serbia përdori fillimisht një kombinim rezervash shtetërore dhe marrëveshjesh me supermarketet. Në vitet pas krizës, qeveria ndërhyri me rezerva për produkte si mielli dhe vaji, ndërsa më pas nxiti fushata si “Çmimi më i mirë”, në bashkëpunim me rrjetet e tregtisë, për uljen e çmimeve të produkteve të përditshme.

Kjo qasje solli rënie të çmimeve të ushqimeve në mesin e vitit 2026, sipas të dhënave të cituara për rajonin.

Në Bosnjë-Hercegovinë, masat u zbatuan në mënyrë të fragmentuar, për shkak të ndarjes administrative të vendit. Të dy entitetet vendosën kufizime të marzheve për produktet e shportës bazë. Në Republikën Srpska, masat u shtynë deri në fund të vitit 2025, me synimin për të mbajtur nën kontroll çmimet e produkteve më të domosdoshme.

Shqipëria ndërhyri kryesisht në vitin 2022, përmes bordeve të transparencës për ushqimet bazë dhe karburantet, si dhe paketave sociale për shtresat më të prekura nga rritja e çmimeve.

Por, ndryshe nga disa vende të rajonit, aktualisht nuk ka një mekanizëm të gjerë aktiv për kufizimin e marzheve të fitimit në produktet ushqimore.

Mungesa e prodhimit vendas, shkak për çmime të larta

Konsumi dhe zgjerimi i turizmit kanë krijuar një treg ushqimor më të madh. Por bujqësia dhe industria përpunuese nuk po furnizojnë dot sasi të qëndrueshme, me standard të njëjtë dhe në kohën që kërkojnë supermarketet, hotelet dhe restorantet. Hendeku po mbulohet me importe.

Të dhënat e INSTAT-it për tregtinë e jashtme tregojnë se, gjatë periudhës janar–korrik 2026, Shqipëria importoi rreth 239.3 mijë tonë drithëra, 23.1% ose 44.9 mijë tonë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm drithërat përbënin rreth 39.5% të sasisë së përgjithshme të ushqimeve të importuara.

Importet e perimeve dhe zarzavateve u rritën me 11.1%. Për produktet e bulmetit, vezët dhe mjaltin, sasitë e importuara u shtuan me 6.8%, në 21.6 mijë tonë. Importet e frutave dhe arrave u rritën me 5.1%. Ka ndryshuar edhe harta e furnizuesve. Importet nga Serbia ranë me 15%, ndërsa u shtuan furnizimet nga Kroacia dhe Moldavia, kryesisht për drithërat.

U rritën gjithashtu importet nga Ukraina, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Për mishin dhe frutat ekzotike, tregu u orientua më shumë drejt Brazilit, Argjentinës dhe Ekuadorit. Sa më shumë ushqime të vijnë nga jashtë, aq më i ekspozuar bëhet tregu ndaj transportit, kursit të këmbimit, luhatjeve ndërkombëtare dhe ndërprerjeve të furnizimit.

Shqipëria nuk mund t’i zëvendësojë të gjitha importet ushqimore. Por mund ta ulë varësinë në kategoritë ku ka avantazh, është shprehur Alban Zusi.

Potencialin më të madh e kanë perimet, zarzavatet dhe disa lloje frutash. Prodhimi i perimeve arriti në më shumë se 1.44 milionë tonë në vitin 2025, por importet e tyre u rritën sërish me 11.1% në shtatë muajt e parë të vitit 2026.

Hotelet, restorantet dhe supermarketet kërkojnë furnizim të vazhdueshëm, kalibër të njëjtë, paketim, certifikim dhe faturim.

Gjithashtu, te bulmeti dhe mishi, potenciali për rritjen e prodhimit është i pranishëm nëse jepen subvencione. Ringritja e blegtorisë kërkon pagesa për krerë, financim për shtimin e tufave, prodhim ushqimi për kafshët, stalla, veterinarinë, përpunimin dhe kontrata blerjeje.

Te drithërat, mundësia e zëvendësimit të importeve është më e vogël. Shqipëria nuk konkurron lehtë me sipërfaqet e mëdha dhe prodhimin e mekanizuar të Serbisë, Ukrainës apo Kroacisë. Politika duhet të përqendrohet te siguria e furnizimit, rezervat dhe diversifikimi i partnerëve, jo te një objektiv jorealist vetëmjaftueshmërie.

Nga viti 2020, çmimet e ushqimeve të importuara u rritën me 40%

Çmimi mesatar për kilogram i importeve të grupit “Ushqim, pije dhe duhan” ishte relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve 2015–2020.

Përllogaritjet e “Monitor”, të kryera si raport i vlerës së importuar me peshën neto të raportuar nga INSTAT-i, tregojnë se çmimi mesatar ishte 99.63 lekë për kilogram në vitin 2015.

Brenda gjashtë viteve, çmimi kishte lëvizur në një interval të ngushtë prej rreth 97–101 lekësh. Goditja e fortë nisi në vitin 2021. Çmimi mesatar u rrit me 16.3%, në 117.96 lekë për kilogram. Në vitin 2022 pasoi një tjetër rritje, këtë herë me 23.9%, duke e çuar mesataren në 146.12 lekë, nivelin më të lartë të periudhës.

Krahasuar me vitin 2020, kostoja mesatare e një kilogrami ushqime, pije dhe duhan të importuar ishte rritur me rreth 44%.

Pas kulmit të vitit 2022, presioni nisi të zbehej. Në vitin 2023, çmimi mesatar ra me 11.2%, në 129.77 lekë për kilogram. Në vitin 2024 zbriti me 6.9%, në 120.85 lekë, ndërsa në vitin 2025 u regjistrua një rënie e lehtë prej 0.4%, në 120.37 lekë.

Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, çmimi mesatar ishte 115.57 lekë për kilogram, rreth 6.5% më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Por goditja nuk është zhbërë. Edhe pas rënies, çmimi mesatar i importit mbetet rreth 14% mbi nivelin e vitit 2020 dhe afërsisht 16% më i lartë se në vitin 2015.

Një pjesë e vonesës në uljen e çmimeve të konsumit mund të lidhet me kontratat afatgjata, rezervat e blera më herët dhe kohën që kërkon transmetimi përgjatë zinxhirit. Por fakti që çmimi mesatar i importit po bie, ndërsa ushqimet në tregun vendas po shtrenjtohen, tregon se kostot e krijuara brenda Shqipërisë kanë marrë rol më të madh.

Karburantet dhe logjistika e kushtueshme

Çmimi i karburanteve prek çdo hallkë të zinxhirit ushqimor. Fermeri përdor naftë për mekanikën bujqësore, përpunuesi paguan transportin e lëndës së parë; importuesi mbulon lëvizjen nga porti ose pika kufitare, distributori furnizon magazinat dhe pikat e shitjes.

Aktualisht, një litër naftë po shitet me 219 lekë për litër, niveli më i lartë në rajon dhe Europë.

Edhe kur produkti blihet më lirë jashtë vendit, transporti nga kufiri në magazinë dhe më pas te rrjetet e shitjes mund ta zbehë përfitimin.

Sipas znj. Babameto, mangësitë e logjistikës bëhen veçanërisht të dukshme gjatë sezonit turistik. Kamionët që furnizojnë zonat bregdetare mund të qëndrojnë për orë të tëra në trafik. Vonesat shtojnë konsumin e karburantit, orët e punës dhe rrezikun e humbjeve për produktet e freskëta.

Kompanitë do të përballen edhe me kosto

Të Ngjashme