Nga 9-13 mars 2026, në Kanë të Francës, do të zhvillohet një nga eventet më të rëndësishme të industrisë globale të pasurive të paluajtshme, MIPIM, platforma ndërkombëtare ku liderët e sektorit mblidhen për të diskutuar strategjitë e investimeve, partneritetet dhe të ardhmen e zhvillimit urban.
I organizuar në “Palais des Festivals”, MIPIM konsiderohet pika kryesore e referimit për industrinë globale të Real Estate, duke bërë bashkë mbi 20.000 profesionistë nga më shumë se 90 vende të botës, investitorë që menaxhojnë mbi 4 trilionë euro asete. Eventi ofron një platformë unike për krijimin e partneriteteve strategjike, prezantimin e projekteve inovative dhe zhvillimin e mundësive të reja të biznesit në shkallë ndërkombëtare.
Në këtë skenë botërore, “Concord Group”, grupi më i fuqishëm i investimeve në Shqipëri, do të marrë pjesë me projektin ambicioz “Marina Orikum”, duke prezantuar vizionin e kompanisë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe transformimin urban në një nga destinacionet më tërheqëse turistike të rajonit.

Me një kapacitet prej 650 vende ankorimi, Marina Orikum do të jetë marina e parë e këtyre përmasave në rajon, e projektuar për të akomoduar jahte e varka me vela, duke kombinuar në mënyrë harmonike luksin e sofistikuar me bukurinë e jashtëzakonshme natyrore të zonës. Ky projekt vizionar dhe modern që mban firmën e arkitektit të mirënjohur ndërkombëtarisht, Chris Precht, do të përfshijë një hotel luksoz me pesë yje, pjesë e një rrjeti prestigjioz botëror të hotelerisë, rezidenca elegante pushimi, zona tregtare ekskluzive dhe ambiente rekreative.
Përmes takimeve me aktorët kyç të industrisë, përfaqësuesit e “Concord Group” do të eksplorojnë mundësi të reja bashkëpunimi, përpos prezantimit të avantazheve që e bëjnë “Marina Orikum” një projekt denjësisht konkurrues në tregun gjithnjë e më dinamik botëror të pasurive të paluajtshme.
Me pjesëmarrjen në MIPIM, nga 9-13 mars 2026, “Concord Group” synon të pozicionohet edhe më fort në hartën ndërkombëtare të zhvillimit të pasurive të paluajtshme, duke promovuar gjithashtu potencialin e Shqipërisë dhe Vlorës më konkretisht si destinacione tejet të rëndësishme për investime dhe zhvillim të qendrueshëm urban.
