Shëndetësi

Covid 2020/ Dhoma sureale e përqafimeve në një shtëpi kujdesi italiane

Në kulmin e pandemisë, në nëntor 2020, një shtëpi kujdesi në Castelfranco Veneto, Itali, gjeti një mënyrë kreative për të luftuar izolimin e të moshuarve: krijoi një “dhomë përqafimesh”, ku familjarët mund të prekeshin dhe përqafonin njëri-tjetrin në mënyrë të sigurt përmes një membrane plastike.

Pandemia kishte izoluar për muaj me radhë banorët e shtëpive të kujdesit, veçanërisht në Itali, ku vala e parë e Covid-19 kishte shkaktuar qindra viktima në veri të vendit. Edhe pse video-thirrjet ishin një zgjidhje e përkohshme, ato nuk mund të zëvendësonin kontaktin fizik.

Shtëpia e të moshuarve “Domenico Sartor” vendosi të ndërtonte një hapësirë të posaçme, të rrethuar me xhama dhe të pajisur me një mbështjellës plastik me vrima për krahët, duke u lejuar vizitorëve të përqafonin të afërmit pa rrezikuar përhapjen e virusit.

Fotografi italian Max Cavallari e dokumentoi iniciativën, të cilën e përshkroi si një përzierje mes realitetit të ndritshëm dhe atmosferës distopike të serialit Black Mirror. Ai rrëfen se shumë familjarë përjetonin një emocion të jashtëzakonshëm, pasi po prekeshin me prindërit për herë të parë pas nëntë muajsh.

Sipas Cavallarit, drejtuesit e qendrës nuk e panë këtë si një mënyrë për t’u bërë të famshëm, por si një nevojë urgjente për të thyer izolimin e të moshuarve: “Nuk ishte zgjidhja përfundimtare, por ishte diçka. Dhe ajo diçka kishte shumë rëndësi.”

Banorët dhe familjarët i kujtojnë ende ato momente përmes një fjale të përbashkët: ngrohtësia. Edhe përmes plastikës, ajo ndjehej./BBC