Cristiano Ronaldo po tërheq vëmendjen jo vetëm për atë që bën në fushë, por edhe jashtë saj. ‘Ylli’ portugez, tashmë 40 vjeç, ka vendosur që martesa e tij me të fejuarën Georgina Rodriguez të zhvillohet në vitin 2026 në ishullin Madeira, vendlindja e tij.
Ky vendim përbën një largim nga tradita, pasi zakonisht çiftet zgjedhin të martohen në vendin e nuses, në këtë rast Argjentinë, ose në Spanjë, ku Georgina është rritur dhe ku çifti u njoh. Ronaldo, megjithatë, ka vendosur t’i japë ngjarjes një ngjyrim personal, duke u rikthyer te rrënjët e tij për ditën më të rëndësishme.
Historia e çiftit nis në vitin 2016, kur Georgina, atëherë 31 vjeçe, punonte në një dyqan të Gucci-t në Spanjë. Fillimisht e mbajtën lidhjen larg syve të publikut për një vit dhe u shfaqën për herë të parë së bashku në vitin 2017. Që atëherë ata kanë ndërtuar një familje të madhe: dy vajza të përbashkëta, Alana Martina, 7 vjeçe, dhe Bella Esmeralda, 3 vjeçe, si dhe fëmijët më të mëdhenj të Ronaldos: Cristiano Jr., 15 vjeç, dhe binjakët Mateo e Eva Maria, 8 vjeç.

Ronaldo ka zbuluar në “Piers Morgan Uncensored” se vajzat e tij patën rol të rëndësishëm në vendimin për t’i propozuar Georgina-s. Vetë ceremonia pritet të jetë private, pasi Georgina pëlqen festat intime dhe larg zhurmës së madhe mediatike. Data është planifikuar të vendoset mes Kupës së Botës 2026 dhe fillimit të sezonit të ri në Saudi Pro League, për t’u përshtatur me angazhimet e shumta të sulmuesit.
Ndërkohë që përgatitet për Kupën e Botës, pavarësisht një pezullimi të mundshëm pas kartonit të kuq kundër Irlandës, Ronaldo vazhdon të shkëlqejë tek Al-Nassr. Në këtë sezon ai ka shënuar 11 gola në 12 paraqitje, mes tyre edhe një roveshatë spektakolare, duke e çuar totalin e tij në 104 gola në 117 ndeshje me klubin saudit.
Ceremonia e vitit 2026 premton të jetë një nga ngjarjet më të komentuara të vitit, intime, personale dhe thellësisht e veçantë për çiftin.


