Lajme

Çun Lajçi i ashpër ndaj Vjosa Osmani: “A s’ishte boll me u ba Kryeparlamentare e Presidente? Çka deshti tjetër?”

Aktori shqiptar, Çun Lajçi shpreh zhgënjim të madh me politikën dhe sidomos me presidenten Vjosa Osmani.

Ai thotë se e ka përkrahur atë por mendon se ajo është kapur shumë pas pushtetit dhe sillet sikur shteti duhet të jetë nën hijen e saj, përcjell “Bota sot”.

Sipas tij ajo tashmë ka qenë një herë kryetare e parlamentit dhe një herë presidente dhe pyet pse kërkon më shumë pushtet.

Ai e kritikon idenë që pushteti përdoret për ambicie personale dhe jo për shërbim ndaj shtetit dhe e paraqet këtë si shembull të problemit më të madh në politikën shqiptare ku politikanët luftojnë për pushtet dhe jo për shtetin.

Postimi i plotë

Mall i kotë për një atdhe të lodhun

Me vetveten isha e me vetveten mbeta, por ja që as kjo nuk mjaftueka, sepse në këtë vend, sapo shqiptari guxon me thanë nji mendim për nji politikan, menjiherë ia ngjesin bishtin:

— Shihe militantin!

— Shikoje si i futë hundët në politikë për nji asht!

Sikur mendimi të ishte faj.

Sikur fjala të ishte tradhti.

Eh… edhe këto pak mend që i patëm, na i hangri lakmia politike.

Dje shkrova për pushtetin e vogël të njerëzve të vegjël.

Sot jam i dëshpëruem — jo prej atyne që janë të verbuem për pushtet, sepse ata tashma i njohim mirë — por prej njerëzve që nuk e njohin vetveten e mundohen me t’kallxu se kush je ti.

Kjo asht gropa jonë e përhershme:

kurrë nuk u kthjelluam si popull.

Interesi personal u ba vrima e zezë që thithi gjithçka —

që prej ditës kur u krijue Shqipnia.

Dje menduet se edhe unë u zhgënjeva.

Jo.

Unë u zhgënjeva me vetveten,

që nuk pranove me u rreshtue në taborre që e shohin atdheun si shkallë për me hypë në pushtet.

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Ajo harroi se pushteti, kur nuk njeh masë, nuk asht ma shërbim — asht etje.

A s’ishte boll me u ba Kryeparlamentare njëherë?

A s’ishte boll me u ba Presidente njëherë?

Çka deshti tjetër?

T’bahet sulltaneshë tani kur sulltanatit iu dogj çerga?

Binduni se pushteti ndër ne nuk ndërton shtet — po ndërton saraje.

Kjo nuk asht politikë.

Kjo asht një teatër i lodhun

ku aktorët nuk luftojnë për shtetin,

por për rolin kryesor në skenën e pushtetit.

Prandaj ndoshta asht koha me e ftofë pak kryet e me u çlirue prej atdhedashunisë së teprueme, edhe unë, se kot qenka me i dashtë kur ata s’e duen as vetvetën.

Sepse malli për Shqipninë qenka i kotë

kur ajo mbetet në kthetrat e narkodilerëve

e në prehrin e lubive të pushtetit.

Kot edhe nostalgjia për heroizmin e Jasharëve,

kur partitë nuk luftojnë për shtetin — por për pushtetin e kullat e tyne.

E ndoshta tragjedia jonë nuk asht se kemi politikanë të këqij.

Tragjedia jonë asht tjetërkund:

ne jemi mësue me jetue pa shtet,

por nuk dimë me jetue pa pushtetarë.

Prandaj i ndërrojmë sunduesit,

por kurrë nuk e ndërrojmë sundimin.

Dhe ndoshta nji ditë do ta kuptojmë vonë:

Atdheu nuk lodhet nga armiqtë.

Atdheu lodhet nga bijtë që e përdorin si shkallë për pushtet.

Cyrih, 06.03.2026

Të Ngjashme