Pamjet e para të Celia Flores janë bërë publike pas arrestimit të saj nga autoritetet amerikane, së bashku me bashkëshortin, presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro. Në videon e publikuar, Flores shfaqet e veshur me një bluzë me kapuç, me krahët e kryqëzuar në gjoks, ndërsa shoqërohet nga agjentë të armatosur nën masa të forta sigurie. Pas saj, Maduro shihet duke zbritur nga një automjet ushtarak, i rrethuar nga forca federale.

Kush është Celia Flores?
Celia Flores ka lindur më 15 tetor 1956 në Tinacillo, një qytet i vogël në veriperëndim të Venezuelës. Ajo vjen nga një familje e madhe dhe tejet e varfër. Ishte një nga gjashtë fëmijët dhe u rrit në kushte të vështira, në një shtëpi modeste. I ati punonte si tregtar shëtitës në zonë.
Pas shpërnguljes së familjes në Karakas, Flores u përqendrua seriozisht në arsim, duke arritur të regjistrohej në shkollën e drejtësisë. Pikërisht aty u njoh me Michael Moreno, i cili vite më vonë do të bëhej ministër i Drejtësisë në qeverinë e Nicolas Maduro.
Fillimisht, ajo nuk kishte ambicie të dukshme politike. Punoi si stenografe në një komisariat policie, ku regjistronte dëshmitë gjatë marrjes në pyetje. Në atë periudhë u martua për herë të parë me oficerin Walter Gavindia Rodríguez, me të cilin pati tre fëmijë.
Angazhimi i saj politik nisi pas trazirave të dhunshme në Karakas në vitin 1989. Ajo u afrua me lëvizjen e Hugo Chavez, të cilin e shihte si figurë heroike dhe u përfshi në mbështetjen e tij pas tentativës së dështuar për grusht shteti, që përfundoi me arrestimin dhe burgosjen e Chavez.
Me kalimin e viteve, Flores u bë pjesë e rrethit të ngushtë të Chavez dhe e ndoqi nga afër në rrugën e tij drejt pushtetit. Marrëdhënia mes tyre nuk mbeti vetëm politike, por u shndërrua edhe në lidhje personale, në një kohë kur të dy ishin në prag divorci.
Në vitin 2007, Celia Flores u zgjodh deputete dhe mori postin e kryetares së Asamblesë Kombëtare. Një nga vendimet e saj të para ishte emërimi i dhjetëra të afërmve dhe miqve në poste shtetërore, duke nxitur akuza për nepotizëm, të cilat ajo i injoroi.
Edhe raportimet për stilin luksoz të jetesës së familjarëve të saj, përfshirë udhëtime me avionë privatë, nuk duket se e tronditën pozicionin e saj politik.
Gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Hugo Chavez, Flores mbajti postin e ministres së Drejtësisë, ndërsa Nicolas Maduro ishte zëvendëspresident. Pas vdekjes së Chavez në vitin 2013, Maduro mori presidencën dhe Flores mbeti pranë tij në qendër të pushtetit. Çifti u martua në korrik të po atij viti, duke konsoliduar njëkohësisht lidhjen personale dhe politike në krye të shtetit venezuelian.
/tiranapost
