Lajme

Dalin PAMJET/ Ky është hoteli në Santorini që frymëzoi vilën e Belinda Ballukut në Palasë

Kanë dalë pamjet e hotelit në Santorini që shërbeu si frymëzim për projektimin e vilës në Palasë, që sipas hetimeve të SPAK lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Bëhet fjalë për hotelin Rocabella Santorini, i cili përmendet në një email të datës 14 shtator 2020, të dërguar nga arkitekti Alban Eftimi në adresën e Ballukut.

Në email-et e publikuara në media, Eftimi i shpjegon Ballukut me detaje projektin e vilës, duke folur për pishinën, suitat dhe hapësirat përreth saj. Ai shkruan se ideja ishte që, edhe nëse një ditë vila do të jepej me qira, përdoruesit të ndiheshin “të llastuar njësoj si në hotel”.

Sipas asaj që përshkruante Eftimi, në një pjesë të pishinës parashikohej një tavolinë ngrënieje në të njëjtin nivel me ujin, në mënyrë që të shijohej sa më shumë pamja e “infinity pool”. Teaku rreth pishinës duhej t’i jepte pronës “një feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht”.

Në të dyja anët e vilës, pranë hyrjeve dhe suitave, ishin parashikuar edhe dy vaska hidromasazhuese. Pikërisht për këtë pjesë, arkitekti i referohet hotelit Rocabella në Santorini, duke e marrë si model për projektimin e vilës në Palasë.

Të Ngjashme