Kuriozitete

Danimarka do t’iu lejojë qytetarëve ta mbrojnë fytyrën me të drejtë autoriale

Danimarka po bën histori në Europë, duke propozuar një ligj revolucionar që i jep çdo qytetari të drejtën autoriale mbi pamjen dhe zërin e tij.

Sipas këtij projektligji, përdorimi i fytyrës së dikujt në video të krijuara me inteligjencë artificiale (AI), pa miratimin e tij, do të konsiderohet shkelje ligjore.

Ky zhvillim vjen si përgjigje ndaj rrezikut në rritje të përmbajtjeve “deepfake” video të manipuluara që imitojnë në mënyrë realiste fytyra dhe zëra të njerëzve. Qeveria daneze synon të mbrojë individët nga vjedhja e identitetit digjital, abuzimi me pamjen personale dhe dezinformimi përmes teknologjive të avancuara.

Çfarë do të ndryshojë konkretisht?

Çdo qytetar do të ketë të drejtën ekskluzive mbi fytyrën, zërin dhe identitetin e tij.
Ndalohet publikimi dhe shpërndarja e përmbajtjeve “deepfake” pa lejen e personit të imituar.
Platformat online që nuk heqin këto përmbajtje pas njoftimit do të përballen me gjoba të rënda.
Përjashtime do të lejohen për raste satirike, parodi apo karikatura për të mos cenuar lirinë e shprehjes.

Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, e cilësoi këtë hap si një përpjekje serioze për të garantuar sigurinë digjitale të qytetarëve: “Ne nuk mund të lejojmë që njerëzit të keqpërdoren në internet me disa klikime.”

Nëse miratohet, ligji pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit 2025, duke e bërë Danimarkën vendin e parë në Evropë që zyrtarisht njeh të drejtën e autorësisë mbi fytyrën dhe zërin e individit.

Një precedent që pritet të ndikojë edhe në vendet e tjera europiane, në një kohë kur kufiri mes realitetit dhe AI po bëhet gjithnjë e më i paqartë.