Në epokën e teknologjisë, të dish se ku ndodhet partneri në çdo moment është bërë më e lehtë se kurrë më parë.
Aplikacionet për ndarjen e lokacionit, si Life360 dhe të ngjashëm, po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes çifteve, duke u kthyer nga një mjet prakticiteti në një lloj “dëshmie” për seriozitetin e një lidhjeje.
Por ndërsa disa e shohin si një mënyrë për të forcuar besimin dhe sigurinë, të tjerë ngrejnë shqetësime të thella për humbjen e privatësisë dhe rritjen e kontrollit.
Ndarja e lokacionit: Praktike, por edhe simbolike
Sipas të dhënave të kompanisë Life360, mbi 95% e të rriturve përdorin forma të ndryshme të teknologjisë për ndarjen e vendndodhjes, ndërsa 40% mbështeten në aplikacione specifike për qëllime personale dhe romantike. Hulumtimi i kompanisë tregon gjithashtu se:
60% e përdoruesve ndjejnë se ndarja e lokacionit e bën lidhjen më “zyrtare”
70% e konsiderojnë të dobishëm për organizim dhe koordinim
45% besojnë se ndihmon në ruajtjen e shëndetit mendor
Ekspertët paralajmërojnë: Rrezik për romantikën dhe pavarësinë
Megjithatë, ekspertët e marrëdhënieve nuk janë plotësisht dakord me këto përfitime. Terapistja për çifte Joanna Harrison, në një intervistë për The Guardian, thekson se ndarja konstante e lokacionit mund të dëmtojë balancën delikate mes afërsisë dhe pavarësisë që e mban të shëndetshme një marrëdhënie.
“Të dish saktësisht kur vjen partneri mund të shkatërrojë spontanitetin dhe një pjesë të asaj magjie që vjen nga pritja. Humbet privatësia, por edhe romantika”, u shpreh Harrison.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Anna Martin, drejtuesja e podkastit Modern Love, e cila e cilësoi ndarjen e lokacionit si një “superfuqi që duhet përdorur me shumë përgjegjësi”. “E ndonjëherë, kjo do të thotë thjesht ta fikësh”, tha ajo.
Kufij të shëndetshëm për një marrëdhënie të shëndetshme
Ekspertët theksojnë rëndësinë e vendosjes së kufijve të qartë në çdo marrëdhënie. Nëse ndarja e lokacionit ju krijon ndjenjën se jeni të kontrolluar në vend që të ndiheni të dashur dhe të respektuar, është koha për një bisedë të sinqertë me partnerin.
Çelësi, sipas specialistëve, qëndron në komunikim dhe konsensus, jo në kontroll të njëanshëm apo ndjekje të pashprehur.
