Nga historia e Carrie Bradshaw dhe Mr. Big, deri te pothuajse të gjitha dramat e Real Housewives, martesa për interes ka qenë gjithmonë një temë e pranishme në letërsi dhe televizion. Edhe seriale të suksesshme si Bridgerton e rikthejnë këtë koncept në qendër të vëmendjes, duke treguar familje që përpiqen të ngjiten në hierarkinë shoqërore përmes lidhjeve martesore me njerëz me status më të lartë.
Ky fenomen njihet me termin “hipergami”, një koncept që, sipas ekspertëve, është po aq i vjetër sa vetë shoqëria njerëzore. Trajnerja e takimeve dhe prezantuesja e podkastit Dates & Mates, Damona Hoffman, shpjegon se ideja e martesës për dashuri është relativisht moderne.
“Martesa tradicionalisht bëhej për të siguruar stabilitet financiar dhe mbijetesë për familjen e gruas”, shprehet ajo, duke theksuar se për shekuj me radhë, dashuria nuk ishte kriteri kryesor.
Çfarë është hipergamia?
Sipas Alysha Jeney, trajnere e certifikuar për martesën dhe familjen, hipergamia përkufizohet si zgjedhja për t’u martuar ose për të krijuar lidhje romantike me dikë që perceptohet si më i suksesshëm, më i fuqishëm ose më i sigurt financiarisht.
“Kjo zgjedhje shpesh lidhet me dëshirën për siguri ekonomike, përmirësim të statusit shoqëror apo rritje të vetëvlerësimit dhe identitetit personal”, shpjegon Jeney.
Edhe pse termi është bërë më popullor vitet e fundit, praktika ekziston prej mijëra vitesh. Punonjësja sociale klinike Shamyra Howard thekson se hipergamia mund të gjurmohet që në sistemin e kastave hindu, duke e bërë atë të paktën 3 mijë vjeçare.
“Në thelb, është një model partneriteti i ndërtuar në një shoqëri patriarkale, kur gratë nuk kishin arsim, të drejtë pune apo pavarësi financiare dhe vareshin nga partneri për të mbijetuar”, shprehet ajo.
Pse vazhdon edhe sot?
Edhe pse sot shumica e njerëzve deklarojnë se martohen për dashuri, martesat për interes apo avancim shoqëror vazhdojnë të ekzistojnë. Në disa vende, si India, Kina, Irani apo Indonezia, martesat me mblesëri janë ende të pranishme, edhe pse në disa raste formalisht të ndaluara.
Megjithatë, hipergamia nuk kufizohet vetëm në vende me vështirësi ekonomike. Një sondazh i fundit në SHBA tregoi se mbi 39% e të rinjve besojnë se është e rëndësishme që partneri të paguajë gjithçka në takimin e parë. Po ashtu, shumica e të anketuarve e konsiderojnë tërheqëse vetëbesimin, suksesin personal dhe gjendjen e mirë financiare.
Sipas studimit të porositur nga faqja luksoze e takimeve Seeking.com dhe realizuar nga Talker Research, 31% e amerikanëve pranojnë se suksesi financiar ndikon drejtpërdrejt në atraktivitetin e një personi, ndërsa 39% besojnë se një partner me status më të lartë mund të kontribuojë në rritjen e tyre personale.
Sa i shëndetshëm është ky model marrëdhënieje?
Ekspertët paralajmërojnë se marrëdhëniet e ndërtuara vetëm mbi përfitime financiare apo shoqërore mund të jenë problematike. Sipas tyre, hipergamia mund të krijojë dinamika të pabarabarta pushteti, mungesë intimiteti dhe keqkuptime të thella.
“Kjo lloj marrëdhënieje mund të çojë në manipulim, kontroll dhe shpërndarje të pabarabartë të përgjegjësive”, thotë Jeney, duke shtuar se personi me status më të ulët shpesh ndjen mungesë fuqie në raport.
Nga ana tjetër, Howard vëren se hipogamia – kur një partner e mban tjetrin në pozicion inferior – praktikohet më shpesh nga burrat për të ruajtur kontrollin në marrëdhënie.
Ekspertët bien dakord se, pavarësisht motivit fillestar, çdo marrëdhënie ka nevojë për komunikim të hapur, kufij të qartë dhe pritshmëri të ndërsjella, në mënyrë që të funksionojë në mënyrë të shëndetshme dhe të barabartë.