Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se Kurti dhe Vuçiq, kanë simptoma të diktatorëve, pasi sipas tij të dy i takojnë ekstremit të majtë.
Dedaj, i ka cilësuar ‘lojë shahu’ veprimet e kohëve të fundit të Kurtit dhe Vuçiqit, të cilat siç ka thënë ai, ata të dy i kanë bërë në favor të politikave të tyre populiste.
“Në kohët e fundit mund të them se Vuçiq, edhe në sinkronizim me Kurtin, ndoshta jo drejtëpërdrejt me u marrë vesh, por i bëjnë potezat sikur kur luajnë shah, do të thotë secili e bën potezin edhe i luajnë figurat në favor të politikave të tyre populiste, sepse të dy i takojnë ekstremit të majtë si dhe kanë simptoma të diktatorëve”, ka thënë Dedaj në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.
Më tej, Dedaj, është shprehur se Kosova nuk i ka pasur kurrë më të dobëta dhe të këqija marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomatike.
“Ky krahasim është real sepse Kosova kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe e lënduar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomatike. Kurrë nuk mbahet mend në historinë tonë që i kemi pasur marrëdhëniet kaq të këqija me SHBA, me partnerët kryesorë të cilët e kanë bërë realitet dhe e kanë mbështet dhe e kanë realizuar projektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pastaj edhe me NATO-n, edhe me BE-në, do të thotë kemi bërë fizkultura dhe ekzibicione shumë të liga”, ka shtuar ai./teve1.info/