Kërkesën që e patën të martën, iu plotësua të mërkurën.
Por deputetët opozitar s’u paraqitën fare në dëgjimin publik, për një nga projektligjet më të kontestuara në vend.
Për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, sipas tyre dëgjimi publik s’duhet të jetë i nxituar, andaj kjo qe edhe arsyeja e mospjesëmarrjes.
E nga ata që fillimisht i thanë jo, patën një kritikë për anëtarët që s’qenë prezent.
“Edhe po t’iu japim kohë ata përsëri do ta sabotonin njëjtë, sepse interesi i tyre është pikërisht sabotimi i këtij projektligji”, tha deputeti i LVV-së, Vigan Qorolli.
Por koha me të cilën u thirr dëgjimi publik, sipas shoqërisë civile nuk përkon me rregulloren e kuvendit.
“Është e vërtet që është prej projektligjeve më të diskutuara por prapë se prapë korniza ligjore në fuqi e obligon në radhë të parë qeverinë, e meqenëse nuk është bërë në qeveri të pakën të bëhet në kuvend”, u shpreh Eugen Cakolli nga KDI.
Nga ekzekutivi thanë se për një proces të tillë se kishin me patjetër, megjithëse e bënë mes dy leximve.
“Janë konsultuar të gjitha, janë shterur të gjitha mjetet dhe ligji së fundmi nuk është prekë në përmbajtje”, tha zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni.
Por sipas KDI-së, jo krejt vërejtjet e gjykatës kushtetuese u adresuan siç duhet.
“A do të funksionalizohet mekanizmi i byrosë nëse kuvendi shpërndahet? Nuk do të funksionalizohet sepse vetë kuvendi ka përgjegjësi që me e emru komisionin mbikëqyrës dhe pastaj me emru drejtorin e byrosë”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.
Veçse kjo analize, dikujt nga pushteti, më shumë se profesionale, iu duk sikur e opozitës.
“Nuk ndjeva mall sinqerisht për kolegët nga opozita sepse i zëvendësuat denjësisht”, tha deputeti Qorrolli.
Andaj edhe byroja për pushtetin konsiderohet e domosdoshme.
“Në njërën anë për të adresuar në kuptimin e drejtësisë keqpërdorimin në nivele të tilla”. u shpreh deputeti Adnan Rrustemi.
Megjithatë takimi përfundoi pa ndonjë epilog.
Projektligji për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme kaloi në lexim të parë të premten e 17 prillit.
