Lajme

Deklaratat përmbyllëse, mbrojtja e Krasniqit mohon përfshirjen në krime

Në Gjykatën Speciale sot u mbajt dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së.

Gjatë ditës ekipi i Rexhep Selimit përmbylli deklaratat duke thënë se ai duhet të shpallet i pafajshëm, duke argumentuar se nuk ka prova që e lidhin me krimet në aktakuzë.

Mbrojtja e Selimit tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim për Selimin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin nënkupton “burgim të përjetshëm”.

Më pas mori fjalën mbrojtja e Krasniqit, që tha se Prokuroria nuk ka vërtetuar se klienti i tyre ka pasur lidhje me ndonjë krim. Mbrojtja madje tha se nuk ka asnjë dëshmitar që ka thënë se Krasniqi e ka rrahur apo keqtrajtuar.

Sipas mbrojtjes, Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe jo komandant me kontroll ushtarak. Po ashtu, mbrojtja hodhi poshtë pretendimin se Krasniqi ka qenë parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.

Ekipi mbrojtës i Krasniqit do të vazhdojë deklaratat përmbyllëse të hënën. Po të hënën, trupi gjykues ka dy orë kohë që të parashtrojë pyetje për palët dhe pasdite radhën do ta ketë Prokuroria.

Të Ngjashme