Lajme

“Dekret i nxituar dhe pa bazë” – Haxhiu godet vendimin e Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit

Vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit po përballet me kritika të ashpra politike, ndërsa gjithnjë e më shumë po shihet si një veprim që ka thelluar krizën institucionale në vend. Në një intervistë për RTK, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka dalë hapur kundër këtij vendimi, duke e cilësuar atë si të nxituar, të pajustifikuar dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese.

Sipas Haxhiut, shpërndarja e Kuvendit nuk ishte vetëm e panevojshme, por edhe një veprim që anashkaloi mundësitë reale për zgjidhje brenda institucioneve. Ajo ka theksuar se në momentin e marrjes së këtij vendimi, procesi për zgjedhjen e presidentit nuk kishte dështuar përfundimisht dhe ekzistonin ende mekanizma ligjorë për ta tejkaluar situatën.

Ajo ka rikujtuar se pas ndërprerjes së seancës së 5 marsit, çështja ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke u mbështetur në një aktgjykim që kërkon pjesëmarrjen e plotë të deputetëve në zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, kjo dëshmon se kishte rrugë të qarta institucionale që mund të ndiqeshin, pa u shkuar drejt një vendimi drastik si shpërndarja e Kuvendit.

Në këtë drejtim, Haxhiu ka vënë në pikëpyetje edhe logjikën politike të këtij veprimi, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet e jashtëzakonshme po përdoren si alternativë përballë mungesës së marrëveshjes politike.

“Zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve”, ka theksuar ajo, duke kërkuar angazhim konkret dhe emra të qartë nga partitë politike.

Ajo ka kritikuar qasjen e subjekteve që nuk propozojnë kandidatë konkretë, duke e cilësuar këtë si pengesë serioze për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Haxhiu ka theksuar se i vetmi emër që deri më tani ka arritur një nivel konsensusi ndërmjet partive është Murat Jashari, duke e konsideruar atë një kandidat me peshë të veçantë për vendin.

Në të njëjtën kohë, ajo ka bërë të ditur se janë të hapur për propozime të tjera, duke përmendur edhe emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Sa i përket aspektit juridik, Haxhiu ka deklaruar se dekreti i presidentes nuk prodhon pasoja juridike, pasi – sipas saj – nuk është i mbështetur në Kushtetutë.

Ajo ka shtuar se Gjykata Kushtetuese ka lënë një afat prej 34 ditësh për zgjidhjen e situatës, duke krijuar hapësirë për veprim institucional dhe arritje të një marrëveshjeje politike.

Të Ngjashme