Vigan Qorolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur në Debat Plus lidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i LVV-së ka thënë se tani vendi ndodhet në një lloj moratoriumi, duke shtuar se edhe po të mos ekzistonte dekreti, nuk do të mund të vazhdohej seanca për zgjedhjen e presidentit.
“Me kërkesën e re për atakimin e dekretit të presidentes që do ta bëjmë në emër të 30 deputetëve të Kuvendit”, ka thënë ai.
“Kjo shënon një prej rasteve më flagrante të ndërhyrjes së pushtetit ‘presidencial’… Ne frikësohemi që presidentja nesër mund ta shpallë datën e re të zgjedhjeve”.
“Ajo nuk mund ta shpallë dekretin e ri për caktimin e datës së zgjedhjeve, sepse ka një lëndë tashmë aktive në Gjykatën Kushtetuese, ku ne kemi kërkuar masë të përkohshme”, tha ai.
Qorolli tutje ka thënë se presidentja e vendit ka bërë një nga aktet më të rënda të shkeljes kushtetuese.
“Presidentja sot ka bërë një prej akteve më të rënda të shkeljes kushtetuese në gjithë historinë kushtetuese të Republikës së Kosovës, prej ekzistencës së Kushtetutës së prillit të vitit 2008 që e kemi ende sot në fuqi”.
“Përmes një dekreti që ne mendojmë që është i nxituar dhe arbitrar, ajo ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mënyrën e funksionimit të organit legjislativ, ndërkohë që komentet e saj politike mbi dekretin e tejkalojnë çdo arsye dhe çdo racionalitet politik për mënyrën e lëshimit të dekretit”, ka thënë ai.
