Lajme

Dënime të përjetshme për vrasjen e Liridona Ademajt, Haxhiu: Drejtësia foli qartë

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademaj, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burg.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se drejtësia dha një përgjigje të fortë ndaj një krimi që tronditi vendin. Ajo theksoi se përpjekjet për ta fshehur vrasjen e rënduan edhe më shumë aktin, ndërsa shtoi se askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë për krime të tilla.

Haxhiu gjithashtu theksoi rëndësinë e luftës kundër femicidit, duke bërë thirrje për institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj dhunës, teksa u shprehu mbështetje familjarëve të viktimës.

Postimi i Haxhiut:

Sot, me dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, drejtësia dha një përgjigje të merituar dhe të fortë ndaj një krimi të rëndë që tronditi mbarë vendin.

Përpjekja e të dënuarve për ta fshehur vrasjen pas skenarëve të rremë vetëm sa e rëndoi edhe më shumë këtë akt mizor.

Asnjë vendim gjykate nuk e kthen Liridonën pranë fëmijëve të saj, pranë vëllaut, pranë familjes por ky aktgjykim e bën të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë dhe të mendojë se do t’i shpëtojë drejtësisë.

Lufta kundër femicidit kërkon vigjilencë të përhershme, institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës.

Sot e kujtojmë Liridonën me dhimbje dhe respekt. Nderimin më të madh për të do ta tregojmë duke ndërtuar një Kosovë ku çdo grua jeton e lirë, e mbrojtur dhe me dinjitet.

Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë.

Të Ngjashme