Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka reaguar në lidhje me dënimin e shqiptuar kundrejt Dejan Raciq nga Gjykata Themelore në Prishtinë, konkretisht për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka kërkuar drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ky është postimi i plotë i saj:
Drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Dejan Raciq, sot u dënua me 15 vjet burg për krime lufte, konkretisht krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ky është rasti i katërt që drejtësia vendase ndëshkon autorët e këtyre krimeve, duke treguar se heshtja dhe mosndëshkueshmëria dalëngadalë po i afrohen fundit.
Rruga mbetet e gjatë, po në fund, drejtësia dhe e vërteta gjithmonë fitojnë.
Falënderim i veçantë edhe QKRMT-së për mbështetjen e palëkundur ndaj të mbijetuarve gjatë gjithë procesit gjyqësor. Duke falënderuar këtë organizatë, falënderojmë edhe të gjitha organizatat dhe aktivistët që çdo ditë, me një angazhim të jashtëzakonshëm dhe vetëmohues, angazhohen për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Është për t’u admiruar qëndrimi dinjitoz i heroinave tona, të mbijetuarave, të cilat përsëri po dëshmojnë integritet dhe guxim të pashoq, duke u ballafaquar, tashmë në sallë të gjyqit, me ata që kryen krime të papërshkrueshme ndaj tyre. Këto gra dhe këta burra meritojnë respektin dhe mbështetjen edhe më të fortë e më të gjerë të institucioneve dhe të shoqërisë sonë.
